Qindra njerëz protestojnë në Serbi kundër ligjit të ri të kishave në Mal të Zi

Qindra protestues në Serbi u mblodhën para ambasadës malazeze të premten në mbrëmje, pasi Mali i Zi miratoi një ligj të diskutueshëm fetar më herët. Kisha Ortodokse Serbe thotë se ligji mund t'i heqë kishës pronat e saj, përfshirë manastiret mesjetare dhe kishat. Ligjvënësit pro-serbë në parlamentin e Malit të Zi u arrestuan të premten, pasi ata u përpoqën të bllokonin votën, transmeton Telegrafi. Në Serbi, presidenti Aleksandar Vuçiq tha se ishte i shqetësuar, por shpresonte se tensionet do të lehtësohen dhe vendet e shenjta të kishës do të ruhen. Vuçiq premtoi se do të ndihmojë kishën serbe në Mal të Zi.
Gjithashtu të premten, një përleshje e shkurtër shpërtheu në parlamentin serb kur ligjvënësit e opozitës nacionaliste mbajtën parulla që kritikonin ato që ata quanin mungesë përgjigjeje nga Serbia për ngjarjet në Mal të Zi. Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi e përshkroi ligjin si "diskriminues dhe antikushtetues". Patriarku Irinej, kreu i kishës, tha që autoritetet malazeze "duhet të ndalen menjëherë me terrorin brutal kundër kishës". Popullsia e Malit të Zi prej rreth 620,000 banorësh është kryesisht e krishterë ortodoks dhe kisha kryesore është Kisha Ortodokse Serbe. Një kishë ortodokse e veçantë malazeze nuk njihet nga kishat e tjera të krishtera ortodokse. Gjukanoviç ka akuzuar Kishën Ortodokse Serbe për promovimin e politikave pro-serbe dhe përpjekjen për të minuar shtetësinë e vendit që kur u nda nga Serbia në 2006. Malazezët mbeten të ndarë nëse shteti i vogël Adriatik duhet të mbështesë lidhje të ngushta me Serbinë. Rreth 30% e popullsisë së Malit të Zi identifikohen si serbë dhe kryesisht ishin kundër ndarjes nga Serbia. /Telegrafi/






















































