QIKA-t "gjuajtën" peceta para Qeverisë, kërkojnë heqjen e TVSH-së dhe tarifave doganore për produktet menstruale

Një numër prej 71 organizatash të shoqërisë civile janë bashkuar me Qendrën për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA) në një thirrje të përbashkët drejtuar institucioneve për heqjen e menjëhershme të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) dhe tarifave doganore për produktet menstruale.
Përmes një aksioni simbolik ata vendosën para objektit të Qeverisë një baner në formë “pecete”, me moton “Peceta nuk është luks”.
Po ashtu ato gjuajtën edhe peceta në shkallët e objektit të Qeverisë së Kosovës.
Ndërkaq, këto organizata i kërkojnë Ministrisë së Financave të ndërmarrë masa konkrete për zgjerimin e listës së produkteve që përfitojnë nga norma e reduktuar e TVSH-së.
Konkretisht, kërkohet përfshirja e produkteve menstruale si pecetat dhe tamponët në këtë listë, si dhe eliminimi i tarifave doganore për këto produkte.
Sipas QIKA-s dhe organizatave mbështetëse, produktet menstruale janë nevojë themelore për gratë dhe vajzat, dhe përfshirja e tyre në normën e reduktuar të TVSH-së do të ishte një hap drejt drejtësisë sociale dhe ekonomike, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së përditshme të shumë qytetareve.
Ndërkaq, sipas kësaj organizate kërkesa për largimin e taksës menstruale është mbështetur edhe nga më shumë se 7 mijë e 500 qytetarë që kanë nënshkruar peticionin “Peceta nuk është luks”. /Telegrafi/















































