LAJMI I FUNDIT:

Qerkini: Kërkojmë që në Propozimin evropian të jetë një pikë e veçantë për të pagjeturit

Qerkini: Kërkojmë që në Propozimin evropian të jetë një pikë e veçantë për të pagjeturit

Kryetari i shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Qerkini, ka shprehur pakënaqësinë që personat e pagjetur përmenden vetëm një herë në Propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Qerkini thotë se kryeministri Albin Kurti nuk e ka mbajtur premtimin. Ai thotë se Kurti para se të vinte në pushtet deklaronte se nuk do të dialogojë me Serbinë pa u zbardhur çështja e të pagjeturve.


Qerkini thotë se nuk janë kundër dialogut, por duan që çështja e të pagjeturve të trajtohet me seriozitet, sipas konventave ndërkombëtare.

Ai gjithashtu kërkon që familjet e të pagjeturve të njoftohen çka bisedohet në Bruksel.

“Qendra Burimore mundohet t’i përcjellë dhe e përcjell çdo frymëmarrje të qeverisë, të gjithë atyre që flasin për personat e pagjetur. Shumë pak gjëra po merren vesh se çka është duke ndodhur në bisedime në Bruksel. Atë që jemi duke kuptuar ne, është mëkat shumë i madh, është premtuar, është thënë se kaptina e parë, neni i parë, bisedimet e para do të bëhen për persona të pagjetur. ‘Pa u zbardhur fati i personave të pagjetur ngrihen të gjitha bisedat e tjera’.

Ne si familjarë nuk jemi për t’u ngrirë dialogu, por jemi që të jetë një pikë e veçantë për persona të pagjetur dhe të jetë humane, se punët politike të cilat i kanë paraparë në këto 11 pika kanë me vazhduar me vite e vite, se janë punë politike. Këtë pjesë duhet që të jetë si është premtuar dhe si garanton me konventa ndërkombëtare mos të na shkelin të drejta e njeriut. Neve po na shkelin të drejtat e njeriut”, u shpreh Qerkini.

Në propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili ka 11 nene, personat e zhdukur përmenden vetëm në një vend.

“Palët bien dakord ta thellojnë bashkëpunimin në të ardhmen në fushat e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit dhe lidhshmërisë, marrëdhënieve në drejtësi dhe zbatim të ligjit, postë dhe telekomunikacion, shëndetësi, kulturë, fe, sport, mbrojtje të mjedisit, persona të zhdukur, dhe fusha të tjera të ngjashme përmes arritjes së marrëveshjeve specifike”, thuhet në nenin 6 të marrëveshjes..

Qerkini, i cili e ka ende të pagjetur djalin që nga lufta e vitit 1999, kërkon që termi i “zhdukur” të largohet dhe të përdoret “i marrë me dhunë”.

“Çka kam hjek me e rrit, e mos me ditë qe plot 24 vite se ku është”, shprehet Qerkini. “Në prill bëhen dy vjet që nuk është mbajtur premtimi për persona të pagjetur, as dialog për persona të pagjetur. Ku është faji, a është faji te ndërkombëtarët apo tek ne vetë si shtet, apo njerëzit që janë duke e udhëhequr dialogun. 90 për qind ne i kemi fajet, nuk mund të premtojmë diçka kur nuk jemi të zotë të realizojmë.

Duhet të dalin dhe të shpjegojnë se nuk po na lejojnë ndërkombëtarët për zbardhjen e fatit të pagjetur. Ku është qëllimi, ku është esenca, pse nuk po dalin? Neve na vyejnë negociatat, nuk është Millosheviqi… duhet që të bisedohet me ta dhe të kërkohet nonstop ndihma e bashkësisë ndërkombëtare. Kjo është për mua neglizhencë, mosdije apo në një mënyrë njerëz që nuk kanë ndjenja njerëzore”, shprehet Qerkini.

Në trend Lajme

Më shumë
Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Lajme
U arrestua nga Serbia, lirohet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës

U arrestua nga Serbia, lirohet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës

Lajme
Maltretimi i kosovarëve në Serbi, eurodeputetja holandeze i reagon Vuçiqit

Maltretimi i kosovarëve në Serbi, eurodeputetja holandeze i reagon Vuçiqit

Lajme
Arrestimi i zv.drejtorit të Policisë së Kosovës, analistët në Beograd:

Arrestimi i zv.drejtorit të Policisë së Kosovës, analistët në Beograd: "Shfaqja e muskujve" nga Vuçiqi

Lajme
Maqedonci ngre alarmin: Tensionet vazhdojnë, Serbia nesër do të testojë dronë kamikazë në kufi me Kosovën

Maqedonci ngre alarmin: Tensionet vazhdojnë, Serbia nesër do të testojë dronë kamikazë në kufi me Kosovën

Siguri
Gjuajtje me armë zjarri tek një pompë derivatesh në Prishtinë

Gjuajtje me armë zjarri tek një pompë derivatesh në Prishtinë

Kronika e Zezë
Kalo në kategori