Qendra për Shërbim me Qytetarë në Gjilan regjistroi afër 100 mijë kërkesa në 2025

Drejtoria e Administratës e Komunës së Gjilanit ka mbyllur vitin 2025 me një volum të lartë shërbimesh ndaj qytetarëve, duke përmirësuar infrastrukturën dhe afërsinë e shërbimeve ndaj qytetarëve.
Ushtruese e detyrës së drejtorit, Arbenita Sopi Haziri, tha se gjatë vitit janë ndërmarrë masa për të lehtësuar procedurat administrative, përfshirë miratimin në Kuvendin Komunal të vendimit për largimin e gjobës për regjistrimin e mëvonshëm të lindjeve, në mënyrë që fëmijët e lindur jashtë vendit të regjistrohen pa penalitete.
Po ashtu, në funksion janë rikthyer e-kiosku i dytë për shërbime më të afërta për qytetarët. “Transformuam hapësirat në Qendrën për Shërbim me Qytetarë, vendosëm ashensor në objektin e Administratës dhe sportel për persona me nevoja të veçanta”, tha Sopi Haziri.
Sipas saj, në sektorin e Gjendjes Civile janë ofruar mbi 92 mijë shërbime, ndërsa në Qendrën për Shërbim me Qytetarë janë pranuar mbi 100 mijë kërkesa gjatë vitit.
Drejtoresha po ashtu theksoi se gjatë vitit janë organizuar dëgjime publike për Buxhetimin me Pjesëmarrje, Kornizën Afatmesme Buxhetore dhe Buxhetin 2026, ndërsa në muajt korrik dhe gusht, administrata ka punuar edhe të shtunave me orar të zgjatur për të shërbyer mërgatën.
“Falënderoj stafin e zyrtarëve për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm dhe angazhimin e pandalshëm gjatë gjithë vitit, në shërbim të qytetarëve”, përfundoi Arbenita Sopi Haziri. /Telegrafi/

































