Pak para ndeshjes së kthimit në turin e tretë të Ligës së Kampionëve, shumica e analistëve të futbollit i japin shumë pak shanse Shkëndijës për të kaluar më tej, njofton Telegrafi.

Sipas tyre, humbja minimale 0-1 në Tetovë ndaj Qarabagut e ka vështirësuar misionin e kampionëve të Maqedonisë së Veriut, të cilët në Baku duhet të përmbysin disavantazhin prej një goli për të siguruar vendin në “play-off”, ku i pret fituesi i çiftit Ludogorets (Bullgari) – Ferencvaros (Hungari).


Statistikat flasin qartë: Qarabagu konsiderohet favorit me 93% gjasa për të kaluar, ndërsa Shkëndijës i mbeten vetëm 7%. Por këto përqindje nuk e frikësojnë skuadrën tetovare, përkundrazi ata nuk kanë se çka humbin në këtë përballje.

Në dy rastet e para këtë verë, kur përballë kishte TNS-n dhe FCSB-n, Shkëndija u përball me skepticizëm të ngjashëm dhe në të dyja rastet e tejkaloi veten, duke lënë në hije analizat e parashikimet pesimiste.

Skuadra e trajnerit Jeton Beqiri ka treguar se di të luajë me zemër dhe organizim. Edhe pse humbi në ndeshjen e parë, Shkëndija krijoi disa raste të pastra për gol dhe në disa momente i mungoi vetëm fati. Në Baku, “kuqezinjtë” pritet të hyjnë me guxim, por edhe me kujdes, duke mos lejuar hapësira të mëdha në mbrojtje. Qarabagu mbetet favorit, por futbolli ka treguar shpesh se befasitë ndodhin aty më pak ku priten. /Telegrafi/

telegrafi sport app