PZAP e hedh poshtë ankesën e Arbër Eminit për keqpërdorime me votat me asistencë në Kllokot

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar si të palejuar ankesën e kandidatit për kryetar të Komunës së Kllokotit, Arbër Emini, e cila kishte të bënte me dyshimet për keqpërdorime gjatë procesit të votimit me asistencë në këtë komunë.
Në vendimin zyrtar të datës 15 tetor 2025, PZAP thekson se ankesa është paraqitur në një fazë të parakohshme të procesit zgjedhor, përkatësisht para shpalljes së rezultateve përfundimtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Paneli sqaron se, në përputhje me nenin 118.1 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, vetëm ankesat që paraqiten pas publikimit të rezultateve përfundimtare mund të shqyrtohen.

“PZAP-i, në rastin kur pala ankuese paraqet ankesë për rezultatet preliminare të tabluara nga KQZ, me vendim e hedh si të palejuar ankesën”, thuhet në vendim.
Emini kishte deklaruar për Telegrafin (15 tetor 2025) se Lista Serbe në Kllokot kishte keqpërdorur procesin e votimit me asistencë duke siguruar raporte të falsifikuara mjekësore për qytetarë që, sipas tij, nuk kishin nevojë reale për ndihmë gjatë votimit. Ai bëri të ditur se këtë rast e ka paraqitur në të gjitha institucionet përkatëse, përfshirë edhe PZAP-në.

Megjithatë, për shkak të paraqitjes së parakohshme të ankesës, PZAP nuk e ka trajtuar atë në meritë dhe nuk ka hyrë në vlerësimin e pretendimeve të ngritura.
Ndërkohë, rasti është trajtuar edhe nga organet e rendit. Në një prononcim për Telegrafin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, ka konfirmuar se një person është arrestuar në lidhje me këtë çështje.
“Më datën 12.10.2025, në Kllokot, e dyshuara – një grua kosovare – dyshohet se ka lëshuar raporte mjekësore për asistencë gjatë procesit të votimit”, ka deklaruar Osmani.
Ai shtoi se e dyshuara është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, me dyshimin se ka kryer veprën penale ‘Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve’, ndërkohë që hetimet po vazhdojnë në koordinim me Prokurorin e Shtetit.
“Veprimet e mëtejshme hetimore janë ndërmarrë në koordinim me Prokurorin e Shtetit, përderisa rasti vazhdon të trajtohet në procedurë të rregullt gjyqësore”, ka përfunduar Osmani.
Vlen të ceket se Telegrafi ka tentuar të kontaktojë edhe me Listën Serbe në lidhje me rastin, por deri në kohën e publikimit të lajmit, nuk ka marrë përgjigje. /Telegrafi/



















































