Burimi: The Independent
Përkthimi: Telegrafi.com

Konferenca për shtyp e Vladimir Putinit, në orën dy të mëngjesit të së dielës, nuk ishte breshëria e tij e radhës në betejën psikologjike për të formësuar perceptimet globale mbi atë që mban realisht fajin për luftën e Rusisë kundër Ukrainës.


Rusia ishte e gatshme për bisedime paqeje në Turqi, për këtë të enjte, deklaroi Putini, pa ndonjë kusht paraprak. Kjo do të thotë se nuk do të ketë armëpushim si parakusht për bisedimet.

Volodymyr Zelensky ia frenoi turrin Putinit duke u përgjigjur se ishte i gatshëm të thyente tabunë ukrainase për negociata me Kremlinin për sa kohë që Rusia vijon të mbajë territor të pushtuar. Në adresimin e tij televiziv, ai madje tha: “Jemi të gatshëm ta përfundojmë luftën”.

Ky ishte një koncesion i madh ndaj pushtuesit, por u shoqërua me një kërkesë që Putini të pranonte një armëpushim 30-ditor - kërkesë që u përmend gjithashtu nga katër liderët evropianë me të cilët Zelensky veçse ishte takuar.

Duke deklaruar se do ta priste në Stamboll dhe duke e sfiduar Putinin të përballej për herë të parë ballë për ballë me të që nga viti 2019, Zelensky po bënte një sfidë. Por, kjo lëvizje mund të kthehet në bumerang për cilindo prej liderëve.

Takimet në nivel të lartë mund të zhbllokojnë situatat e ngrira që pengojnë shtetet armiqësore të pajtojnë interesat e kundërta, sepse vetëm njerëzit në majë të piramidës politike mund të marrin rrezikun e vendimeve të papëlqyera. Por, në përgjithësi, këto bisedime funksionojnë vetëm kur të ashtuquajturit “sherpa” kanë kaluar orë të tëra duke ngushtuar fushat e mospajtimeve, në mënyrë që krerët e shtetit të mund të nënshkruajnë një marrëveshje në thelb të përgatitur më parë.

Historia ofron mësime mbi fuqinë - dhe rrezikun - e diplomacisë së krerëve. Mjafton të kujtojmë udhëtimet sekrete të Henry Kissingerit në Pekin për të përgatitur vizitën dramatike të presidentit Nixon në Kinën e Maos në vitin 1972. Kjo përfundoi me sukses për të dy liderët, pavarësisht armiqësisë së dukshme ideologjike.

Në anën tjetër, një dekadë më herët, një takim i papërgatitur (nga pala amerikane) midis John F. Kennedyt dhe Nikita Khrushchevit e nxiti Kremlinin të vendoste raketat bërthamore në Kubë, sepse Khrushchevi doli nga takimi me përshtypje të gabuar për aftësitë shtetërore të Kennedyt.

Ato ishin takime mes rivalësh, forcat e të cilëve nuk qëllonin drejtpërdrejt kundër njëri-tjetrit. Nëse një takim midis Putinit dhe Zelenskyt ndodh realisht, ai do të jetë një zgjatim i luftës që po zhvillohet në terren.

Ndoshta presidentët e Rusisë dhe Ukrainës do të flasin seriozisht për paqe. Më e mundshme është që të zhvillojnë një luftë fjalësh për të forcuar mbështetjen në vendet e veta, duke ia hedhur fajin njëri-tjetrit për të gjitha vuajtjet.

Agresioni i Putinit mund të na duket krimi i qartë - atëherë, çfarë vlere ka diskutimi?

Edhe nëse bisedimet ndodhin - gjë që nuk është aspak e sigurt - rreziku i dështimit është i lartë. Prishja e bisedimeve, e shoqëruar me akuzime të ndërsjella, mund t’u shërbejë të dy liderëve në aspektin politik, duke ua dhënë mundësinë të fajësojnë palën tjetër dhe të largohen të përforcuar në qëndrimet e veta. Fundja, Zelensky, me siguri, dhe ndoshta edhe Putini, nuk do të donin të shiheshin nga ushtarët e vet duke u sjellë miqësisht me komandantin e armikut.

Oferta e Putinit për bisedime ka gjasa t’i drejtohet disa audiencave. Brenda vendit, siguron publikun rus se udhëheqësi i tyre është i gatshëm për paqe, i penguar vetëm nga kokëfortësia e Ukrainës dhe Perëndimit. Në arenën ndërkombëtare, ajo mbjell dyshim midis ukrainasve të lodhur nga lufta, duke sugjeruar se paqja është e mundur - mjafton që Zelensky të negociojë.

Tani, ekziston një objektiv i tretë për diplomacinë publike të Putinit: Donald Trump. Kremlini e trajtoi me përbuzje udhëheqjen evropiane, por Trumpi është një çështje krejt tjetër. Nevoja për ta mbajtur presidentin amerikan të kënaqur është po aq në mendjen e Zelenskyt sa edhe të Putinit.

Ndërkohë që Putini synon të përçajë amerikanët me evropianët, Zelensky është plotësisht i vetëdijshëm se, i vetëm, edhe një Evropë të bashkuar nuk mund ta zëvendësojë fuqinë dhe ndikimin e Shteteve të Bashkuara.

Këmbëngulja e Trumpit që Ukraina të bisedojë me Rusinë ka çorientuar qasjen e fortë Starmer-Macron-Merz-Tusk. Zelensky duhet të shpresojë se, nëse Putini shfaqet për të negociuar, aftësitë e tij si komunikues publik do t’ia japin Ukrainës fitoren në luftën e propagandës.

Për të perifrazuar gjeneralin prusian Carl von Clausewitz: negociatat janë thjesht luftë me mjete të tjera - jo një plumb magjik për t’i dhënë fund asaj. /Telegrafi/

(Mark Almond është drejtor i Institutit të Kërkimeve për Krizat / Crisis Research Institute, Oksford)