Nëna e Lana Estemirovas, Natalya, u vra gjatë Luftërave në Çeçeni. Tani Lana e rikujton atë periudhë në librin e saj Të lutem, jeto [Pleas Live]

Nga: Julian Evans / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com


Nëse ka një grup ngjarjesh që mund të shërbejnë si hyrje për të kuptuar gjithçka që po ndodh sot në Ukrainë, ato janë luftërat e Rusisë kundër Çeçenisë. Në vjeshtën e vitit 1999, madje përpara se të zëvendësonte Boris Yeltsinin si president, kryeministri rus Vladimir Putin vendosi të rimerrte kontrollin mbi republikën e sapo-pavarësuar, të ngjeshur në Kaukazin e Veriut midis Detit Kaspik dhe Detit të Zi. Ai urdhëroi sulme vdekjeprurëse ajrore ndaj objektivave civile dhe një ofensivë tokësore për ta realizuar këtë. Sulmi më famëkeq goditi tregun e zhurmshëm të kryeqytetit Grozni, më 21 tetor të atij viti, duke vrarë 118 njerëz.

Në kujtimet e saj për rritjen gjatë Luftërave Ceçene, Të lutem, jeto, Lana Estemirova kujton zemërimin e nënës së saj ndaj mënyrës se si sulmet raportoheshin pa asnjë problem në televizionin rus si “sulme me caqe ushtarake” për të eliminuar rebelët. Gatishmëria e trishtueshme e Perëndimit për të gëlltitur këto narrativa, ka garantuar suksesin e këtij modeli rus për më shumë se dy dekada në Çeçeni; pas shumë viteve në armiqësi, Putini shpalli përfundimin e luftërave në vitin 2017 dhe Çeçenia ka mbetur republikë ruse që prej asaj kohe.

Lexo po ashtu:
- Opinion nga Lana Estemirova: Strategjia e terrorit të Putinit: Nëse e doni pamjen e së ardhmes së Ukrainës, shikojeni vendin tim - Çeçeninë

Historia e fëmijërisë së Estemirovas meriton të tregohet, jo vetëm sepse nëna e saj ishte aktivistja e njohur për të drejtat e njeriut, Natalya Estemirova, e cila u rrëmbye dhe u vra më 15 korrik 2009 nga burrat besnikë ndaj liderit pro-Putin të Çeçenisë, Ramzan Kadyrov.

Gjatë Luftës së Parë Çeçene (1994-1996), Natalya dokumentoi torturat në kampet ruse me çeçenë të arrestuar për “veprimtari rebele”. Ishte hera e parë kur shumë prej nesh u bëmë të vetëdijshëm për kapacitetin e ushtrisë ruse për mizori. Në vitin 2000, ajo iu bashkua organizatës për të drejtat civile, Memorial, në Grozni, për të ndihmuar në hetimin e ndalimeve gjithnjë në rritje, të dhunës së egër dhe zhdukjeve që shoqëruan pushtimin e dytë të Çeçenisë nga Rusia. (Jehojnë vazhdimisht ngjashmëritë me pushtimin e Ukrainës.)

Natalya merrte shpesh kërcënime për vdekje; ndoshta për shkak të hetimeve të saj mbi vrasjet barbare nga policia nën drejtimin e Kadyrovit, kështu që u tërhoq zvarrë në një makinë Lada të bardhë në korrik të vitit 2009, u largua nga Grozni dhe u ekzekutua në një rrugë rurale. Vrasësit e saj nuk janë përballur kurrë me drejtësinë.

“Një ditë, do të shkruaj një libër për ne”: Natalya dhe Lana

Libri i vajzës së saj, me detajet e jetës së përditshme - siç ishte jetesa në një apartament pa xhama në dritare - përcjell atmosferën prekëse dhe të rëndë të një vendi që i nënshtrohej asaj që ndihej si një luftë e përjetshme. Ka fragmente nga shkolla, ditëlindje dhe lodra, por fëmijëria e Lanas ishte gjithsesi e trazuar: ajo dhe Natalya shpesh detyroheshin të ndryshonin banesën dhe, në moshën 14-vjeçare, Lana u dërgua të jetonte me hallën e saj në Jekaterinburg - për arsye sigurie. Ndërkohë, nëna e saj jetonte një jetë të dyfishtë - e përkushtuar ndaj vajzës dhe çdo ditë e ekspozuar ndaj dhunës brutale.

Edhe gjatë periudhave të qetësisë së përkohshme, jeta në shtëpi, për Lanan, nuk ishte kurrë e qëndrueshme apo një strehë. Në shkollën e Jekaterinburgut, ajo u bulizua për shkak se ishte çeçene. “Përshkallëzoje, gjithmonë përshkallëzoje”, ishte mantra e saj për t’u përballur me ngacmuesit (një moto të cilën ShBA-ja do të kishte bërë mirë ta ndiqte ndaj Putinit, ndryshe nga ajo që po ndjek tani). Në Grozni, ajo dhe e nëna e saj u mashtruan dhe humbën banesën. Kur u zhvendosën në një tjetër apartament, zbuluan se burrat e Kadyrovit jetonin në banesën ngjitur. Ata përdornin tavanin e përbashkët si tualet, dhe jashtëqitjet e lëngshme rridhnin nëpër banesën e Estemirovave.

Lana Estemirova (e dyta nga e majta) merr pjesë në varrimin e nënës së saj, Natalya, në vitin 2009. Foto: AFP

Në këto faqe vijnë figurat e atyre që janë vrarë nga shtypja jashtëgjyqësore ruse: gazetarja Anna Politkovskaya, e qëlluar për vdekje në ditëlindjen e Putinit në vitin 2006, viziton familjen Estemirova, ashtu si edhe avokati i njohur për të drejtat e njeriut, Stanislav Markelov (“ishte jashtëzakonisht gazmor”) dhe politikani opozitar dhe kritik i Putinit, Boris Nemtsov, i vrarë pranë Kremlinit në vitin 2015. Natalya ishte pjesë thelbësore e këtij fronti: një koleg i Memorial-it e përshkroi atë si "Virgjili i Politkovskayas [në Çeçeni], që e shoqëronte në të gjitha rrethet e ferrit".

Tani që jeton në Lisbonë, punon me organizatën britanike Drejtësi për Gazetarët [Justice for Journalists] dhe ka një vajzë të sajën, Lana e pranon se fëmijëria e bëri atë një vajzë të vështirë. “Shprehjet e mia të inatit, mbrojtja ekstreme dhe sarkazma do ta kishin çmendur këdo”. Por, ajo ka mbajtur premtimin e fortë që i bëri nënës së saj, e cila vdiq kur Lana ishte vetëm 15 vjeçe: “Një ditë, kur të jem gati, do të shkruaj një libër për ne. Ajo do të kujtohet dhe vrasësit e saj do të zbehen si fantazma”.

Ky premtim tingëllon veçanërisht i fuqishëm në çerekun e fundit prekës të Të lutem, jeto, i cili kulmon me tregimin për vrasjen e nënës së saj dhe dhimbjen e Lanas. Këto pasazhe janë të vështira për t’u lexuar. Por, nëse një mësim që kemi nxjerrë nga barbaria e Rusisë në Ukrainë është rëndësia e empatisë, një tjetër është se empatia jonë ka kufij: larg vijës së frontit, është pak e mundshme që ta përjetojmë vërtet ulërimën e dhimbjes, dëshpërimit dhe mosbesimit të dikujt që ka humbur të dashurit në luftë. Na duhen rrëfimet si ky libër tronditës dhe tërheqës për të na treguar se si është vërtet kjo dhimbje - dhe për ta kuptuar.

Kur Putini filloi për herë të parë rrugën e tij të dhunës në vitin 1999, thirrjet për ndërhyrje perëndimore në Çeçeni ranë në vesh të shurdhët. Reagimi britanik u përshkrua, në mënyrë çuditërisht të përsosur, nga filmi i parë Ditari i Brixhet Xhonsit [Bridget Jone’s Diary] në vitin 2001. “Çfarë mendoni për situatën në Çeçeni”? - e pyet Brixheta shefin e saj, Daniel Kliver. Ai përgjigjet thjesht: “S’më plas fare, Xhons”. Nëse reagimi i Britanisë do të kishte qenë më i angazhuar se ai i Kliverit, jo vetëm e ardhmja e Çeçenisë, por edhe e Gjeorgjisë pas vitit 2008, e Ukrainës pas viteve 2014 dhe 2022 - dhe madje edhe e ShBA-së dhe Evropës - mund të kishte qenë ndryshe sot. /Telegrafi/