LAJMI I FUNDIT:

Pse Radoiçiqi nuk është më pronar i kompanive miliona dollarëshe në Serbi?

Pse Radoiçiqi nuk është më pronar i kompanive miliona dollarëshe në Serbi?

Nga bashkëpronar i bizneseve miliona dollarëshe te një qytetar që zyrtarisht nuk ka asnjë kompani në emër të tij – Milan Radoiçiq e kaloi atë rrugë në Serbi për vetëm tri ditë.

Radoiçiqi, i cili publikisht mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj policisë së Kosovës në fshatin Banjskë, bashkëpronësinë në kompaninë ombrellë “Inkop” dhe degët e saj ua transferoi partnerëve të biznesit, vëllezërve Zvonko dhe Zharko Veselinoviq.

Milan Radoiçiq deri më 6 tetor kishte 40 për qind të aksioneve në “Inkop”.


Me këtë, ai ishte bashkëpronar në katër kompani të tjera të lidhura me “Inkop” në Serbi, të cilat janë të angazhuara në aktivitete të ndryshme – nga ndërtimi e deri tek industria e hotelerisë.

Asetet e këtyre kompanive, siç tregon hulumtimi i Radios Evropa e Lirë (REL), kapin vlerën e së paku 38 milionë eurove. Këtu përfshihen pajisje ndërtimi dhe prona të ndryshme të paluajtshme – lokale afariste, tokë, hotel në Kopaonik, vilë në Beograd.

Hulumtimi tregoi gjithashtu se në vitin 2022, ato kompani kanë fituar mbi 24.5 milionë euro dhe janë lidhur marrëveshje fitimprurëse me shtetin.

Sot nuk janë më në posedim të Radoiçiqit.

Kërkesa për ndryshimin e pronarit, në ditën e arrestimit të Radoiçiqit

Kërkesa për largimin e Radoiçiqit nga pronësia e kompanisë “Inkop” është kërkuar më 3 tetor, thuhet në një dokument të publikuar në faqen e Agjencisë për Regjistrat e Bizneseve të Serbisë (APR).

Po të njëjtën ditë, Radoiçiqi është arrestuar nga policia dhe ka dhënë deklaratë në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd, si i dyshuar për disa vepra penale në lidhje me sulmin ndaj policisë së Kosovës në Banjskë.

Të nesërmen, më 4 tetor, i është hequr masa e paraburgimit.

Hetimet kundër Radoiçiqit janë duke vazhduar, ndërsa aktakuza ende nuk është ngritur.

Profesoresha e pensionuar e drejtësisë, Vesna Rakiq-Vodineliq, shpjegon se nuk kishte asnjë pengesë ligjore që Radoiçiqi t’ua kalonte pronësinë partnerëve të biznesit në atë moment.

Radoiçiq heq dorë nga 6 biznese, ua transferon pronësinë vëllezërve Veselinoviq
Lexo po ashtu Radoiçiq heq dorë nga 6 biznese, ua transferon pronësinë vëllezërve Veselinoviq

“Fakti që Radoiçiqi është i dyshuar, për fat të keq nuk është pengesë. Për shkak se ai nuk ishte urdhëruar të disponojë me pronën në atë procedurë. Ai mund ta jepte atë, të bënte çfarë të donte me të, ai nuk kishte asnjë ndalim”, shton ajo.

Rakiq-Vodineliq thekson se nëse në hapat e ardhshëm të hetimit, Radoiçiqit i ndalohet të disponojë me pronën e tij, kjo vlen për atë që ai posedon në atë moment.

Jo në mënyrë retroaktive.

“Ai zyrtarisht ua transferoi kompaninë ortakëve të tij. Nëse ndalohet, kjo do t’i referohet asaj që ai nuk ua ka dhënë tashmë vëllezërve Veselinoviq”, shpjegon ajo.

‘Gjimnastika e kontabilitetit në regjistrin tregtar’

Agjencia për regjistrat ekonomikë e miratoi kërkesën për tri ditë.

Kështu më 6 tetor është vendosur që Radoiçiqi të fshihet nga lista e pronarëve të kompanisë miliona dollarëshe “Inkop” nga Quprija në Serbinë qendrore.

Radoiçiqi ndau pjesën e tij në mënyrë të barabartë me vëllezërit Veselinoviq, 20 për qind secili.

Zvonko Veselinoviq tani ka 60 për qind të pronësisë në “Inkop” dhe kompanitë e ndërlidhura, dhe Zharko 40 për qind.

Se pse është ndërruar pronari, kompania “Inkop” nuk është përgjigjur për REL-in deri në publikimin e tekstit.

“Qëllimi është që nëse ka ndonjë dëm, kompania nuk do të dëmtohet”, thotë redaktori i së përjavshmes NIN, Milan Çulibrk.

Ai e quan ndryshimin në regjistrin tregtar të Serbisë “gjimnastikë e kontabilitetit”.

“Nuk duhet të harrojmë se Radoiçiqi ka marrë 40 për qind në Inkop në të njëjtën mënyrë. Sepse nuk ka qenë kompania e Veselinoviqit dhe Radoiçiqit në fillim, por para disa vitesh, një nga të afërmit e tyre u ka dhënë hise”, kujton Çulibrk.

Ai shton se pavarësisht ndryshimeve formale, “Inkop” dhe kompanitë e lidhura me të “ndoshta vazhdojnë të punojnë sipas të njëjtit model”.

Partnerët e biznesit nën sanksionet e SHBA-së

Edhe para sulmit ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator, i cili u cilësua si akt terrorist në Prishtinë, autoritetet kosovare e lidhën Milan Radoiçiqin me aktivitete kriminale.

Zvonko Veselinoviq ndërlidhet me krimin në Kosovë.

Por as Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, nuk i njeh as akuzat e autoriteteve të Kosovës.

Sulmi në Banjskë nuk trajtohet si terrorizëm dhe Radoiçiqi nuk akuzohet për vrasjen e policit Afrim Bunjaku në procedurë para Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd.

Ndër krimet e dyshuara janë shkaktimi i rrezikut publik dhe posedimi dhe mbajtja pa leje e armëve.

Edhe Beogradi zyrtar ka vendosur që të mos zbatohen sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Radoiçiqit dhe vëllezërve Veselinoviq, sepse për këtë nuk ka detyrime ndërkombëtare.

Ata u futën në listën e zezë të SHBA-së në dhjetor 2021 për shkak të dyshimeve për krim të organizuar dhe korrupsion.

Një vit më vonë, Britania e Madhe vendosi sanksione ndaj Zvonko Veselinoviqit dhe Milan Radoiçiqit nën akuzat për korrupsion.

Çfarë bën “Inkop”?

Ndër kompanitë të cilat i zotëronte Radoiçiqi, më së shumti para ka sjellë “Inkop”, makineritë e së cilës kanë ndërtuar rrugë në disa lokacione në Serbi.

“Inkop” fitoi rreth 17.4 milionë euro në vitin 2022.

Sipas raporteve financiare të analizuara nga REL-i, pasuritë e paluajtshme dhe pajisjet e “Inkop” vitin e kaluar kapin vlerën e rreth 10 milionë eurove.

Kjo kompani, së bashku me pronarët e saj, u vendos nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vitin 2021.

Por, meqenëse nuk janë të detyrueshme për Serbinë, “Inkop” funksionon pa pengesa.

Ndër punët e hetuara më parë nga REL-i, spikat ndërtimi i një rruge me shpejtësi të madhe nga Pozharevci në Golupac në Serbinë lindore.

Aty, në shkurt të vitit 2022, shteti dha pëlqimin që “Inkop” të ishte një nga nënkontraktorët e kompanisë kineze Shandong, për të cilën REL-i ka shkruar më parë.

Në Serbi, si kompani amë, “Inkop” ka edhe katër degë – kompanitë e ndërtimit “Novi Pazar-put” dhe “Betonjerka” nga Aleksinac, kompania hoteliere “Dolly Bell” dhe kompania e transportit rrugor “Velmotrans” nga Quprija.

Redaktori i NIN, Milan Çulibrk, thekson se “Inkop” dhe kompanitë e lidhura me të “brenda natës” e gjetën veten në listën e fitimtarëve më të mëdhenj në Serbi.

“A është rezultat i ‘aftësive dhe sensit të biznesit’, apo pasojë e kombinimeve të ndryshme me shtetin, sepse më së shumti bëjnë punë, faturat e të cilave i paguajnë qytetarët e Serbisë përmes buxhetit”, pyeti ai.

I pyetur nëse për shkak të reputacionit ndërkombëtar, Serbisë i shkon për shtat edhe një ndryshim në “Inkop”, sepse nuk ka më Radoiçiq, i cili u identifikua si organizator i sulmit në Banjska, Çulibrk përgjigjet:

“Asgjë nuk mund ta ‘lajë’ shtetin. Fytyra e tij u njollos në momentin që u lidhën marrëveshjet me ato kompani, pa tenderë, por përmes marrëveshjeve të drejtpërdrejta, dhe pronarët ishin në listën e zezë të SHBA-së. Falë kësaj, ato kompani u bënë kaq të fuqishme, dhe pronarët e tyre ndër njerëzit më të pasur në Serbi”.

“Hetimi do të përcaktojë se nga kanë ardhur paratë për armët pa leje”

Pasurinë e Radoiçiqit e ka komentuar edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Më 11 tetor, ai deklaroi se në hetimin për sulmin e armatosur në Banjskë dhe rolin e Radoiçiqit, do të shqyrtohen të gjitha aspektet, përfshirë këtu edhe nga kanë ardhur paratë për blerjen e armëve në tregun e zi.

Policia e Kosovës pas sulmit në Banjskë ka konfiskuar një arsenal armësh dhe municioni.

Vuçiq shtoi se “nuk është prokuror që të flasë për këtë”, por në të njëjtën kohë shprehu mendimin e tij se disa politikanë opozitarë në Serbi “kanë më shumë para” se Radoiçiqi.

Ndër pronat e fundit të Radoiçiqit në Serbi ishte hoteli luksoz “Grey” në Kopaonik.

Autoritetet e Kosovës pretendojnë se Radoiçiqi dhe një grup i armatosur e kanë shfrytëzuar atë hotel para sulmit në Banjskë, dhe si dëshmi e këtij pretendimi kanë publikuar pamjet nga një dron, i cili dyshohet se është sekuestruar në një operacion policor.

Në atë kohë, Kosova publikoi gjithashtu pretendime se Radoiçiqi përdorte objektet e Ushtrisë Serbe për trajnimin e sulmuesve, të cilat autoritetet në Beograd i mohuan.

Megjithatë, ata nuk i komentuan pretendimet për grupin e armatosur në pronën e Radoiçiqit.

“Ajo që Radoiçiq bën në pronën private nuk është punë e Forcave të Armatosura të Serbisë”, tha shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Milan Mojsiloviq, më 2 tetor.

Kontratë me shtetin pas sulmit në Banjskë

Tri ditë pas sulmit ndaj policisë së Kosovës në Banjskë, kompania “Novi Pazar-put” mori punë nga shteti.

Në kohën e dhënies së kontratës, më 27 shtator, pronarët e fundit të kompanisë ishin Milan Radoiçiq dhe vëllezërit Veselinoviq.

Ndërmarrja publike “Rrugët e Serbisë” ia besoi asaj kompanie ndërtimin e urës në Adrane afër Kralevës, me vlerë rreth një milion euro.

REL-i ka pyetur kompaninë “Rrugët e Serbisë” se pse “Novi Pazar-put” ka marrë vendin e punës dhe nëse vendimi është rishqyrtuar pas sulmit të armatosur në Banjskë të organizuar nga Radoiçiqi.

Ata u përgjigjën se Ligji për Prokurimin Publik “nuk parasheh rishikimin e vendimit për dhënie të kontratës” në atë rast.

Ata shtuan se “nuk ka rëndësi se kush është pronari i kompanisë që merr pjesë në prokurimin publik”.

Qeveria e Serbisë dhe ministria kompetente nuk u janë përgjigjur pyetjeve të REL-it se në çfarë bazë kanë fituar tenderët kompanitë e ndërtimit në pronësi të Veselinoviqit dhe Radoiçiqit.

Pyetja se a ndërpritet bashkëpunimi i shtetit me ato kompani, pasi Radoiçiqi u identifikua si organizator i sulmit në Banjskë, mbeti pa përgjigje.

Kush janë Radoiçiqi dhe Veselinoviqi?

Në publikun serb, Radoiçiqi dhe Veselinoviqi prezantohen si partnerë biznesi, biznesmenë me origjinë nga Kosova.

Deri në sulmin e armatosur ndaj policisë së Kosovës, Radoiçiqi ka qenë nënkryetar i Listës Serbe, partia udhëheqëse e serbëve nga Kosova, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Kur ai e pranoi përgjegjësinë për sulmin në Banjska në një letër publike më 29 shtator, ai gjithashtu njoftoi se po jep dorëheqje nga pozita e tij në Listën Serbe.

Ministri i Policisë së Kosovës, Xhelal Sveçla, e cilësoi atë si një nga drejtuesit e strukturave kriminale në veri të Kosovës.

Prokuroria e Kosovës i lidh Veselinoviqin dhe Radoiçiqin me vrasjen e politikanit kosovar, Oliver Ivanoviq.

Ata përmendeshin si organizatorë të dyshuar të grupit kriminal, por ndaj tyre nuk u ngrit asnjë akuzë pasi në atë moment ishin në arrati.

Ligji i Kosovës nuk lejon ngritjen e aktakuzave kundër të arratisurve, përveç nëse ata janë hetuar më parë.

Në dhjetor të vitit 2021, duke komentuar vendimin e SHBA-së për listën e zezë të Radoiçiqit dhe Veselinoviqit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se autoritetet kompetente do të hetojnë gjithçka nëse ka “disa akuza serioze”.

Në muajt pas kësaj deklarate, opinioni në Serbi nuk mësoi nëse akuzat ishin hetuar dhe as Qeveria dhe Presidenca nuk iu përgjigjën kësaj pyetjeje të Radios Evropa e Lirë.

Milan Radoiçiqi u shfaq në tubime zyrtare, përkrah Aleksandar Vuçiqit. /rel/