LAJMI I FUNDIT:

Pse Iluminizmi nuk ishte “Epoka e Arsyes”

Pse Iluminizmi nuk ishte “Epoka e Arsyes”

Nga: Henry Martyn Lloyd

Në të dy anët e Atlantikut, grupime intelektualësh u kanë bërë thirrje bashkëkombësve të rrëmbejnë armët. Kështjella e rrethuar në nevojë për t’u mbrojtur, thonë ata, është ajo që mbron shkencën, faktet dhe politikat e bazuara në fakte. Këta kalorës të bardhë të progresit – si psikologu Steven Pinker dhe neuroshkencëtari Sam Harris – dënojnë ringjalljen e dukshme të pasionit, emocioneve dhe supersticionit në politikë.

Thelbi i modernitetit, na thonë ata, është aftësia njerëzore për të frenuar forcat përçarëse me arsyen e kokave të ftohta. Ajo që na nevojitet tani, është një rishikim i Iluminizmit. Çuditërisht, kjo pamje rozë e të ashtuquajturës “Epoka e Arsyes”, është krejtësisht e ngjashme me imazhin e avancuar nga kundërshtarët e saj naivë.


Pikëpamja magjepsëse mbi Iluminizmin, rrjedh nga filozofia e Hegelit, deri te teoria kritike e Shkollës së Frankfurtit në mesin e shekullit XX. Këta shkrimtarë identifikojnë një patologji në mendimin perëndimor, që e barazon racionalitetin me shkencën pozitiviste, shfrytëzimin kapitalist, dominimin e natyrës – madje, në rastin Max Horkheimer dhe Theodor Adorno, me nazizmin dhe holokaustin.

Por, pretendimi se Iluminizmi ishte një lëvizje e arsyes përkundër pasioneve, apologjetëve dhe kritikëve, janë dy anët e së njëjtës monedhe. Gabimi i tyre kolektiv është ajo që e bën kaq të fuqishme klishenë e “Epokës së Arsyes”. Pasionet – ndikimet, dëshirat, orekset e mishëruara – ishin paraardhëse të kuptimit modern të emocioneve.

Që nga stoikët e lashtë, filozofia në përgjithësi i ka parë pasionet si kërcënime ndaj lirisë: të dobëtit janë skllevër për ta; të fuqishmit pohojnë arsyen dhe vullnetin e tyre, dhe kështu mbeten të lirë. Kontributi i Iluminizmit, ishte shtimi i shkencës në këtë tablo të arsyes dhe besëtytnisë fetare, në konceptin e skllavërisë së apasionuar.

Megjithatë, të thuhet që Iluminizmi ishte një lëvizje e racionalizmit kundër pasionit, e shkencës kundër paragjykimeve, e politikës progresive kundër tribalizmit konservator, duket të jetë thellësisht e gabuar. Këto pohime nuk pasqyrojnë cilësitë e pasura të vet Iluminizmit, që i vendosën një vlerë shumë të lartë rolit të empatisë, ndjenjës dhe dëshirës.

Iluminizmi filloi me revolucionin shkencor në mesin e shekullit XVII dhe arriti kulmin gjatë Revolucionit Francez në fund të shekullit XVIII. Hegeli, në fillim të viteve 1800, ishte një nga të parët që u hodh në sulm. Ai tha se racionalja e konceptuar nga Immanuel Kanti – filozofi kryesor i Iluminizmit – prodhoi qytetarë të cilët ishin të tjetërsuar, pa asnjë pasion dhe të zhveshur nga natyra njerëzore, me racionalizmin vrastar të Terrorit Francez si rezultatin logjik.

Megjithatë, Iluminizmi ishte një fenomen i ndryshëm; shumica e filozofisë së saj qëndronte larg Kantianizmit, e lëre më pastaj nga versioni hegelian i Kantit. E vërteta është se Hegeli dhe romantikët e shekullit XIX, të cilët besonin se ishin të nxitur nga një frymë e re e bukurisë dhe ndjenjës, e thërrisnin “Epoka e Arsyes” për të shërbyer si një paketim për vetë-konceptimin e tyre.

Subjekti i tyre kantian ishte një dordolec prej kashte, ashtu siç ishte racionalizmi dogmatik i Iluminizmit të tyre. Në Francë, filozofët ishin çuditërisht entuziastë për pasionet dhe thellësisht dyshues për abstraksionet. Në vend se të pretendonin që arsyeja ishte e vetmja mënyrë për të luftuar gabimin dhe injorancën, Iluminizmi francez e vuri theksin tek ndjesia.

Shumë mendimtarë të Iluminizmit mbështetën një version polivokal dhe të gjallë të racionalitetit, i cili ishte i vazhdueshëm me veçoritë e ndjesisë, imagjinatës dhe mishërimit. Kundër brendësisë së filozofisë spekulative – René Descartes dhe ndjekësit e tij shpesh ishin të synuarit – filozofët kthyen vëmendjen jashtë, dhe vunë në plan të parë trupin, si pikë të angazhimit të apasionuar me botën.

Mund të shkohet aq larg sa të thuhet se Iluminizmi francez u përpoq të prodhonte një filozofi pa arsye. Për shembull, për filozofin Étienne Bonnot de Condillac, nuk kishte kuptim të flitej për arsyen si “zgjedhje”. Të gjitha aspektet e mendimit njerëzor, lindnin nga shqisat tona, thoshte ai – në mënyrë specifike, aftësia për t’u tërhequr nga ndjesitë e këndshme, dhe larguar nga ato të dhimbshme.

Këta nxitës krijuan pasione dhe dëshira, dhe çuan më pas në zhvillimin e gjuhëve dhe në lulëzimin e plotë të mendjes. Për të mos rënë në kurthin e një artikulimi të rremë, dhe për të qëndruar sa më pranë eksperiencës sensuale, Condillac ishte një fans i gjuhëve “primitive”, në dallim nga ato që mbështeteshin tek idetë abstrakte. Për të, racionaliteti i duhur u kërkonte shoqërive të zhvillonin mënyra më të “natyrshme” për të komunikuar. Kjo do të thoshte se racionaliteti ishte domosdoshmërisht plural: ai ndryshonte nga vendi në vend, në vend se ekzistonte si një racionalitet universal i padiferencuar.

Një figurë totemike e Iluminizmit francez ishte Denis Diderot. Më gjerësisht i njohur si redaktor i Enciklopedisë (1751-1772), ai shkroi vetë shumë nga artikujt subversivë dhe ironikë – një strategji e projektuar pjesërisht, për të shmangur censorët francezë. Diderot nuk e shkroi filozofinë e tij në formën e traktateve abstrakte: ai, si Volteri, Jean-Jacques Rousseau dhe Markezi de Sade, ishte mjeshtër i romanit. Një shekull e gjysmë para se René Magritte të shkruante fjalinë ironike “Kjo nuk është llullë” nën pikturën e tij, Diderot shkroi një histori të shkurtër të quajtur “Kjo nuk është një histori”.

Diderot besonte në dobinë e arsyes në ndjekjen e së vërtetës – por ai kishte një entuziazëm akut për pasionet, veçanërisht kur kishte të bënte me moralin dhe estetikën. Me shumë nga figurat kryesore të Iluminizmit skocez, si David hume, besonte se morali ishte i bazuar në eksperiencën sensuale. Gjykimi etik ishte i lidhur ngushtë, madje në mënyrë të padallueshme nga gjykimet estetike, pretendonte ai. Ne e gjykojmë bukurinë e një pikture, një peizazh apo fytyrën e të dashurit tonë, ashtu siç e gjykojmë moralin e një personazhi në një roman, në një shfaqje apo në jetën tonë – domethënë, gjykojmë të mirën dhe të bukurën drejtpërsëdrejti, dhe pa nevojën e arsye. Për të, eliminimi i pasioneve mund të prodhonte vetëm neverinë. Një person pa aftësi për t’u prekur emocionalisht, si për shkak të mungesës së pasioneve apo mungesës së shqisave, do të ishte moralisht monstruoz.

Megjithatë, Iluminizmi pretendonte se ndjeshmëria dhe ndjenja, nuk sollën një refuzim të shkencës. Përkundrazi: individi më i ndjeshëm – personi me ndjeshmërinë më të madhe – cilësohej si vëzhguesi më i mprehtë i natyrës. Shembulli tipik ishte një mjek, i përshtatur me ritmet trupore të pacientëve, dhe me simptomat e tyre të veçanta. Në vend të kësaj, ishte sistem-ndërtuesi spekulativ, ai që ishte armik i përparimit shkencor – mjeku kartezian që e shihte trupin si një makinë të thjeshtë, ose ata që mësonin mjekësi duke lexuar Aristotelin, por jo duke vëzhguar të sëmurët. Pra, dyshimi filozofik i arsyes nuk ishte refuzim i racionalitetit në vetvete; qe vetëm një refuzim i arsyes në izolim nga shqisat, dhe e distancuar nga trupi i apasionuar.

Në këtë aspekt, filozofët qenë në fakt më shumë të lidhur me romantikët, sesa këta të fundit do të donin të besonin. Përgjithësimi i lëvizjeve intelektuale, është gjithnjë një punë e rrezikshme. Iluminizmi, kishte tipare të dallueshme kombëtare, madje edhe brenda një vendi të vetëm nuk ishte monolit.

Disa mendimtarë, evokuan një ndarje strikte mes arsyes dhe pasionit, dhe privilegjuan atë që merret e mirëqenë mbi ndjesinë, me Kantin si shembulli më i famshëm. Por, në këtë drejtim Kanti ishte i izoluar nga shumë, në mos nga shumica e çështjeve kryesore të epokës së tij. Veçanërisht në Francë, racionaliteti nuk ishte kundër ndjeshmërisë, por bazohej tek kjo e fundit. Romantizmi, ishte kryesisht një vazhdim i temave të Iluminizmit, dhe jo një shkëputje prej tyre.

Nëse duam të mbyllim hendeqet e momentit bashkëkohor historik, duhet t’i japim fund pretendimit se vetëm arsyeja e ka shpëtuar botën. E tashmja garanton kriticizmin, por nuk do të bëjë asnjë të mirë në qoftë se bazohet mbi mitin e një të shkuare të lavdishme të disapasionuar, që nuk ka ekzistuar kurrë. /Burimi: Aeon/Publikimi në shqip: Bota.al/

Në trend Kultura

Më shumë
ÇAST LAMTUMIRE

ÇAST LAMTUMIRE

Poezi
TRIM I MARRË

TRIM I MARRË

Poezi
Romanet që më shtynë të bie në dashuri me historinë

Romanet që më shtynë të bie në dashuri me historinë

Libri
1 SHTATOR 1939

1 SHTATOR 1939

Poezi
YLL VETMITAR

YLL VETMITAR

Poezi
S’KAM ME TA LYPË

S’KAM ME TA LYPË

Poezi
Kalo në kategori