Nënat janë ‘strehë e sigurt’ ku fëmijët nxjerrin emocionet që kanë mbajtur gjatë ditës

A e ke vënë re ndonjëherë se fëmijët e tu sillen si engjëj me të tjerët - me gjyshen, mësuesit apo edhe me të panjohurit në rrugë, por sapo mbeten vetëm me ty, shndërrohen në djallusha të vegjël?


Blogerja dhe nëna Kate Baltrusky shpjegon pse ndodh kjo. Sipas saj, duhet të ndihesh shumë mirë për këtë, sepse kjo do të thotë që po bën gjithçka si duhet.

Kate, autore e blogut KateSurfs.com, tregon me humor se burri i saj shpesh i thotë:

“Nuk e kuptoj! Fëmijët janë të mrekullueshëm kur janë me mua, por sapo të të shohin ty, gjithçka del jashtë kontrollit.”

Ajo kujton edhe një “studim të rremë” që kishte lexuar në faqen Momnewsdaily.com, ku thuhej se fëmijët sillen “800% më keq” kur nëna është në dhomë. Edhe pse qeshi me këtë, ajo pranon se koncepti është plotësisht i vërtetë!

Fëmijët vërtet sillen më keq kur janë pranë nënës së tyre, por ja pse:

“Sepse ti, e dashur nënë, je vendi i tyre i sigurt. Ty mund të të tregojnë të gjitha problemet e tyre. Nëse ti nuk mund t’i ndihmosh, kush tjetër mundet? Ti je ‘grumbulluesja’ e emocioneve të tyre të vështira.

shutterstock

Nëse gjatë ditës kanë përjetuar stres, zhgënjim apo ndjenja të pakëndshme, sapo të të shohin, ata lirojnë gjithçka që kanë mbajtur brenda - qajnë, ankohen, shpërthejnë... është mënyra e tyre për t’u çliruar.”

Edhe pse pas një dite të lodhshme ndoshta është gjëja e fundit që dëshiron të përballosh, kjo është shenja më e qartë e lidhjes së fortë mes jush.

Nëse fëmija të përqafon, qan apo ankohet sapo futesh në shtëpi, mos mendo se është i përkëdhelur. Përkundrazi, kjo tregon se ai ndihet i sigurt me ty për të shprehur çdo emocion.

“Herën tjetër kur të ndodhë kjo, kujto se është shenjë dashurie, jo mungesë sjelljeje. Dërgoji vetes pak dashuri e mirëkuptim, sepse ne nënat e dimë sa lehtë mund të na çmendin këto momente!”

Tani e di: nëse fëmijët sillen “më keq” vetëm me ty - do të thotë se po bën një punë të shkëlqyer si nënë! /Telegrafi/