LAJMI I FUNDIT:

Protestohet kundër EVN-së në Hotël të Likovës (Video)

Protestohet kundër EVN-së në Hotël të Likovës (Video)

Dhjetëra qytetarë kanë protestuar në fshatin Hotël të Komunës së Likovës, kundër zhvendosjes së njehsorëve të rrymës elektrike nga EVN-ja. Që në mëngjes ata janë tubuar në hyrje të fshatit për të penguar ekipet e EVN-së për të punuar në terren, sepse ata konsiderojnë që me vendosjen e matësve elektronik, çmimet në faturat e rrymës janë rritur dukshëm. Një natë më parë, janë mbledhur banorët dhe kanë ardhur në përfundim se po u bëhet e padrejtë në faturimin e energjisë elektrike. Ky banor thotë se nuk mund të përballojë çmimet e larta për energjinë që është i bindur se nuk e ka shpenzuar fare.

“Paguaj rrymë çdo muaj sikur ta kem shtëpinë si fabrikë të metalurgjisë. Tash kam të kyçur vetëm lavatriçen, por faturat vijnë me çmime të larta dhe çdo muaj rriten. Unë marr ndihmë sociale 2.500 denarë dhe si të arrij të paguaj këtë faturë të energjisë elektrike, që është mbi 10.000 denarë”, u shpreh Ylber Sulejmani, banor.


Të nesërmen në mëngjes ata dolën në protestë duke bllokuar hyrjen e fshatit Hotël. Banorët kanë formuar një Këshill koordinativ, i cili ka parashtruar kërkesa për të arritur marrëveshje me autoritetet kompetente të EVN-së.

“Me këmbëngulësi kërkohet shlyerja e borxheve, përcaktimi i çmimeve reale për harxhimin e rrymës elektrike. Qytetarët ankohen se nuk kanë mundësi të shlyejnë borxhet e energjisë elektrike që harxhojnë në familjet e tyre me të ardhura të vogla ose me ndihma jo të rregullta sociale. Më e keqe është se me njehsorët e rinj të rrymës nuk mund t’i kontrollojnë fare dhe kjo na bën të jemi dyshues në transparencën e EVN-së”, tha Ibrahim Alili, Kryetar i këshillit koordinues.

Reagimi nuk vonoi nga zyra për informim e EVN Maqedoni. Zëdhënësja, Vlera Gjakova thekson se ekipet në terren po zbatojnë planin për rinovimin e rrjetit të shpërndarjes elektrike, e cila është konform Ligjit të energjetikes, në baza të barabarta për të gjithë qytetarët.

“EVN Maqedoni që një periudhë të gjatë zbaton projekt për rekonstruimin e të gjithë rrjetit, me dislokim të orëve digjitale në kufirin me pronën, ashtu siç është paraparë me rregullat e Ligjit të energjetikës, por edhe me zëvendësim të kabllove të vjetra me ato të reja, vendosje të ormarëve të rinj dhe të ngjajshme, ku përdoret pajisje dhe materiale me standarde të BE-së”, tha Vlera Gjakova, zëdhënëse e EVN-Maqedoni, transmeton tv21.

Protestat me motive të njëjta janë rikthyer edhe në fshatin Çerkez, ku banorët sot në mëngjes dolën dhe ua ndaluan ekipeve të EVN-së hyrjen në fshat.

“Ne kemi dalë dhe e kemi ndaluar punën e ekipit të EVN-së, e cila ka për qëllim që njehsorët e energjisë elektrike t’i zhvendosin. Ne para një jave kemi deklaruar se nuk lejojmë të vazhdojnë punën pa arritur marrëveshje, por ata në mënyrë tinëzare dje kanë ardhur përsëri në fshat”, shtoi Zeqirja Ramadani, banor.

Pas një takimi të zhvilluar mes banorëve të dy fshatrave dhe autoriteteve të EVN-së në Kumanovë, palët ranë dakord që të hyjnë në bisedime për të shqyrtuar këtë problem. Ndërkaq, qytetarët e këtij rajoni thonë se nuk heqin dorë nga protestat deri në plotësimin e kërkesave të tyre. /Telegrafi/