Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL UÇK), Hysni Gucati nga Shkupi i Maqedonisë së Veriut, ka bërë të ditur se protesta do të jetë paqësore dhe nuk duhet të shqetësohen qytetarët e Shkupit, pas deklaratës së Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristian Mickoski, i cili kishte thënë se Qeveria në Shkup nuk e mbështet protestën e së shtunës në sheshin “Skënderbeu”, të organizuar nga Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së.

Ai kishte njoftuar se shteti do të angazhohet që gjithçka të kalojë në qetësi dhe të mos ketë provokime e incidente. Gucati për Kosovapress, i është përgjigjur Mickoskit, duke thënë se “mund të flej dath’ pasi shqiptarët nuk kanë shkuar për ta destabilizuar vendin.


Sipas tij, mbi 10 mijë qytetarët do të protestojnë sot në Shkup për lirimin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po mbahen në Hagë. Gucati në një intervistë për KosovaPress, ka bërë të ditur se Shkupi është destinacioni i fundit i protestave pas Tiranës, Prishtinës, Hagës dhe Strasburgut.

“Destinacioni i fundit është Shkupi i shqiptarëve. Ne sot presim një numër të madh të shqiptarëve që jetojnë në trojet tona, kemi bërë thirrje që të vinë dhe për momentin kufiri është shumë i lirë dhe nuk ka problem fare.. Reagimet që i bëri kryeministri i Shkupit, pa nevojë pat një frikë pa nevojë, shqiptarët protestojnë në mënyrën më të mirë të mundshme, nuk kanë ardhur të destabilizojnë vendin, këtë breng ia heqi, i them flej dathur se shqiptarët do të protestojnë në mënyrën më të mirë të mundshme, nuk ka pasur nevojë për panik.. Kam thirrur në kufi, kam pyetur, policët janë shqiptarë, në kufi nuk do të ketë lista të veteranëve që do t’i kontrollojnë. Ata që e ndiejnë vetën jo të sigurt ju them mos ejani. Në bazë të informacioneve jo zyrtare, flitet që mbi 10 mijë persona do të jenë, edhe liderë të partive”, tha Gucati.

Sipas tij, drejtësia për krerët e UÇK-së që gjenden në Hagë ka devijuar, duke u marrë gjyqtarët jo me atë se për çka është ngritur aktakuza ndaj tyre.Gucati ka bërë të ditur se këto protesta janë mbajtur për ta njoftuar kryetaren e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, se krerët dhe UÇK-ja, ka përkrahjen e popullit, duke i kundërshtuar fjalët e tyre se UÇK-ja nuk ka mbështetje.

Ndryshe, sot në ora 13:00 do të fillojë protesta në sheshin “Skënderbeu” në Shkup, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë.