LAJMI I FUNDIT:

Protesta e opozitës në Shqipëri, mbi njëmijë policë në terren

Protesta e opozitës në Shqipëri, mbi njëmijë policë në terren

Forca të shumta policie janë stacionuar përreth Kryeministrisë, teksa mbështetësit e opozitës po protestojnë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në tubimin e parë kombëtar, që pas bashkimit të Rithemelimit me deputetët e grupit Bardhi.

Raportohet se linja e parë e kordonit do të përbëhet nga efektivë të 6 Komisariateve të policisë së kryeqytetit.


Por, ndryshe nga protestat e tjera vërehet një numër i shtuar i efektivëve të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilët janë stacionuar menjëherë poas kordonit në rreshtin e dytë.

Po ashtu bie në sy fakti se të gjithë automjetet e shpërndarjes së turmave ndodhen në pjesën e oborrit të Kryeministrisë.

Në krah të Kryeministrisë qëndrojnë përveç forcave të FNSH-së dhe ato të repartit “Shqiponja”.

Nis protesta e opozitës shqiptare, qytetarët marshojnë përpara Kryeministrisë
Lexo po ashtu Nis protesta e opozitës shqiptare, qytetarët marshojnë përpara Kryeministrisë

Piramida ndërkohë po shërben si një vend ku një pjesë e qytetarëve janë mbledhur për të ndjekur protestën, ndërsa përreth saj ka forca të shumta policie dhe efektivë civilë, të angazhuar në mbarëvajtje të rendit.

Sakaq, ende nuk ka një orar të saktë se kur protesta do të përfundojë. Ajo çka dihet është se pavarësisht mungesës së liderit të PD-së së Rithemelimit, Sali Berisha, figurat më të larta si Gazment Bardhi dhe Flamur Noka kanë paralajmëruar një tubim masiv dhe paqësor, që do të shërbejë për të matur forcat me qeverinë Rama./A2 CNN