Protesta e djeshme në Tiranë - katër të arrestuar, u rrezikuan personat që ishin brenda vilës 31

Në lidhje me protestën e zhvilluar mesditën e djeshme, të datës 28 në orën 18:00, e thirrur nga Partia Demokratike, policia njofton se janë arrestuar katër persona për veprime të dhunshme dhe shkatërrim prone.
Më konketisht: Shtetasi me iniciale L.M. 20 vjeç, shtetasi me iniciale: R. D., 33 vjeç, shtetasi me iniciale D. R., 21 vjeç dhe shtetasi me iniciale S. R., 36 vjeç.
Ata akuzohen për veprat penale: “Goditjet për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”.
Sipas policisë, gjatë protestës, të arrestuarit kanë ushtruar akte të dhunshme, kanë hedhur lëndë piroteknike dhe molotov në drejtim të punonjësve të policisë dhe të Vilës 31, ku në atë moment ndodheshin shtetas të huaj, duke rrezikuar sigurinë e tyre. Si pasojë, janë shkaktuar dëmtime në godinë dhe janë shkatërruar 32 kosha mbeturinash të Bashkisë Tiranë.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar molotovë dhe lëndë piroteknike.
Gjithashtu, është proceduar në gjendje të lirë një shtetas i mitur, 16 vjeç, pasi iu gjet municion i dyshuar për armë sportive.
Gjithashtu, janë administruar pamjet filmike të protestës dhe vijon këqyrja e tyre për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në veprimtari kriminale./euronews/













































