LAJMI I FUNDIT:

Shqyrtimi i raportit vjetor të AKP dhe emërimi i bordit të ARKEP propozohen të futen në rend dite, kundërshtohet nga opozita

Shqyrtimi i raportit vjetor të AKP dhe emërimi i bordit të ARKEP propozohen të futen në rend dite, kundërshtohet nga opozita
Kuvendi i Kosovës / Foto: Ridvan Slivova

Kuvendi i Kosovës është duke mbajtur seancën plenare, i cili është debati në lidhje me organizimin e arsimit në të gjitha nivelet gjatë pandemisë COVID-19.

Po ashtu, në rend dite është shqyrtimi i raportit vjetor të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës për vitin 2020.

Në hyrje të kësaj seance, ushtruesja e detyrë së shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari – Lila, ka propozuar futjen në rend të dite shqyrtimin e raportit vjetor të AKP dhe emërimin e Bordit të ARKEP-it.


“Rekomandimi i parë ka të bëjë me raportin vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ndërsa propozimi i dytë ka të bëjë me emërimin e anëtarëve të Bordit të ARKEP-it. Prandaj, rekomandoj që të futen si rend dite këto pika”, tha Kusari-Lila, përcjell Telegrafi.

Kjo është kundërshtuar nga opozita.

Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala thotë se nuk e di pse po bëhet ky anashkalim.

“Komisioni e ka bërë punën ashtu siç duhet, nuk e di pse po bëhet ky anashkalim, kjo nguti dhe ky proces”, tha Shala.

Edhe kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha se nuk do ta përkrah këtë.

“S’kemi informacion për këtë punë, është shumë joserioze të trajtohet në këtë mënyrë. Ne si Grup Parlamentar e kundërshtojmë një gjë të tillë. Mund të thërrisni seancë një ditë tjetër për këto dy tema”, tha Gashi. /Telegrafi/