Një udhëtim familjarizues u zhvillua më 13-15 gusht 2025 në Kosovë, duke përfshirë Klinën, Pejën dhe Deçanin, si pjesë e projektit “Udhëtim në Kohë” që synon të promovojë turizmin kulturor në zonën ndërkufitare me Malin e Zi.

Ky aktivitet shënon hapjen zyrtare të shtigjeve tematike që sjellin në pah trashëgiminë kulturore të rajonit.


Ky produkt turistik përfshin shtigje me sinjalistikë interpretuese që paraqesin trashëgimi nga periudha të ndryshme historike, duke përfshirë periudhën mesjetare dhe atë osmane.

“FAM Tour i ofroi pjesëmarrësve një përvojë të drejtpërdrejtë të produktit tematik të turizmit kulturor ‘Udhëtim në Kohë’, i zhvilluar për të interpretuar dhe promovuar trashëgiminë e pasur kulturore të rajonit ndërkufitar ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës”, thuhet në njoftim.

DB  1418 scaled

Në këtë udhëtim morën pjesë 10 operatorë turistikë, nga të dyja anët e kufirit, nën koordinimin e Fondit për Zhvillim Komunitar (CDF). Gjatë aktivitetit u realizuan fotografi dhe video për të dokumentuar bukuritë natyrore dhe pasuritë kulturore dhe historike të zonës.

Shtigjet tematike përfshijnë vende si Ujmirë, Mirusha, Drsnik dhe Belle, që ofrojnë përvoja të ndryshme turistike, duke përfshirë turizmin kulinar dhe eksplorimin e trashëgimisë lokale.

“Ky udhëtim familjarizues lidh Kosovën dhe Malin e Zi përmes një oferte të re dhe të dallueshme turistike me shtigje tematike që nxjerrin në pah trashëgiminë kulturore, historinë e pasur dhe atraksionet turistike – duke krijuar përvoja të reja dhe të paharrueshme për vizitorët”, vijon njoftimi.

Ky projekt është pjesë e Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar Kosovë–Mal i Zi, financuar nga Bashkimi Evropian përmes IPA-së, dhe do të lançohet zyrtarisht në fund të gushtit 2025 me materiale promovuese, përfshirë platformë digjitale dhe broshura.

DB  2037 scaled

Në bashkëpunim me Fondin për Zhvillim Komunitar, Komunën e Klinës, Qendrën për Iniciativa të Turizmit të Qëndrueshëm nga Podgorica dhe Organizatën Kombëtare të Turizmit të Malit të Zi, projekti synon zhvillimin dhe marketingun e përbashkët të turizmit kulturor në rajon./Telegrafi/