Vdekja tragjike e punëtorit të KEDS-it, Prokuroria e Pejës ngre aktakuzë ndaj kompanisë dhe tre zyrtarëve

Prokuroria Themelore në Pejë, ka ngritur aktakuzë kundër kompanisë KEDS dhe tre punëtorëve të saj, lidhur me rastin tragjik që ndodhi më 4 shkurt 2023 në fshatin Levoshë të komunës së Pejës, ku një punëtor i kësaj kompanie humbi jetën si pasojë e kontaktit me rrymën gjatë kryerjes së detyrave të punës.
Të pandehur në këtë rast janë personi juridik KEDS, si dhe tre persona fizikë me inicialet A.Z, G.N dhe A.N, të cilët akuzohen për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës së ngritur, më 4 shkurt 2023, viktima V.P, punëtor mirëmbajtës i rrjetit elektrik, ishte duke punuar për eliminimin e një defekti në linjën “Dalja 10 KV – Maja e Zezë në Pejë”.
Gjatë këtij procesi si pasojë e mosrespektimit të procedurave të sigurisë në punë dhe mungesës së masave mbrojtëse, ai bie në kontakt me rrymën dhe vdes në vendin e ngjarjes.
Sipas prokurorisë KEDS, në cilësinë e personit juridik përgjegjës, nuk ka siguruar kushte të sigurta dhe të shëndetshme pune, dhe ka dështuar të zbatojë masat parandaluese ligjore për sigurinë në punë.
A.Z, në cilësinë e udhëheqësit për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës, ka kërkuar nga Qendra Komunikuese në Pejë të lëshohet rryma në rrjet, pa u siguruar se viktima nuk ishte ende në kontakt me rrjetin elektrik, duke shkaktuar kështu kontaktin fatal me rrymën.
A.N, si koordinator i rrjetit, dhe G.N, si ekspert i sigurisë dhe shëndetit në punë, nuk kanë zbatuar masat parandaluese, duke vendosur në rrezik jetën e punëtorëve përmes neglizhencës dhe mosrespektimit të detyrimeve ligjore.
Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, ka propozuar që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, për veprën penale që u vihet në barrë. /Telegrafi/

















































