LAJMI I FUNDIT:

Produkti i Brendshëm i Kosovës gjatë vitit 2017 rritet për 4.23%

Produkti i Brendshëm i Kosovës gjatë vitit 2017 rritet për 4.23%

Produkti i Brendshëm i Bruto (PBB) me çmime aktuale në vitin 2017 ishte 6.41 miliardë euro, rritja reale në vitin 2017 në krahasim me vitin 2016 ishte 4.23 për qind, ndërsa PBB për kokë banori për vitin 2017 ishte 3,566 euro. Kështu thuhet në raportin “Produkti i Brendshëm Bruto, viti 2017”, prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Sipas ASK-së, aktivitetet financiare, ndërtimtaria dhe tregtia me shumicë dhe pakicë kishin rritje më të madhe gjatë këtij viti.

“Rritje reale për vitin 2017 kishte në aktivitetet financiare dhe të sigurimit me 31.4 për qind, ndërtimtaria me 8.6 për qind, tregtia me shumicë dhe pakicë, riparim të automjeteve dhe motoçikletave me 4.5 për qind, informimi dhe komunikimi me 3.4 për qind, industria nxjerrëse me 3.1 për qind, industria përpunuese me 3 për qind, aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 2.8 për qind, transporti dhe magazinimi me 2.8 për qind, bujqësia, gjuetia, pylltaria dhe peshkimi me 2.7 për qind, afarizmi me pasuri të patundshme me 2.6 për qind, furnizimi me energji elektrike dhe me gaz me 2.5, aktivitetet administrative dhe mbështetëse me 2.5 për qind, hotelet dhe restorantet me 2.4 për qind, arti, zbavitja dhe rekreacioni me 1.9 për qind, shërbimet e tjera me 1.2 për qind, shëndetësia dhe aktivitetet e punës sociale me 1.1 për qind, furnizimi me ujë me 1.1 për qind, administrimi publik dhe i mbrojtjes, sigurimi i detyrueshëm social me 0.9 për qind”, thuhet në raport, shkruan Telegrafi.


Rënie kishte në edukim me 0.6 për qind dhe shpenzimet e konsumit final të Qeverisë me 0.5 për qind.

“Rritja reale sipas komponentëve kryesorë të PBB-së me qasjen e shpenzimeve për vitin 2017 ishte te eksporti i mallrave me 22.2 për qind, eksporti i shërbimeve me 15.3 për qind, importi i shërbimeve me 6.3 për qind, importi i mallrave me 5.2 për qind, formimi i bruto kapitalit fiks me 5.7 për qind, ndryshimet në inventar me 3.8 për qind, shpenzimet e konsumit final të ekonomive shtëpiake me 1.8 për qind, shpenzimet e konsumit final të IJPSHESH me 0.6 për qind”, vijon raporti. /Telegrafi/