Prindërit të cilët për klikime filmojnë fëmijët duke qarë, duhet të shikojnë mirë veten në sy!

Nga: Rhiannon Lucy Cosslett / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Është këngë që më ka mbetur në mendje gjatë gjithë javës, dhe, jo, nuk është nga albumi i ri i Taylor Swiftit. Është nga një tekstshkruese shumë më e sofistikuar se Swifti: zonja Rachel. Kënga quhet Big Feelings dhe thotë: “Ndjenjat e mëdha janë në rregull / Jam këtu të rri me ndjenjat tua të mëdha”.
Falë trendit të prindërimit të ndjeshëm, koncepti i “ndjenjave të mëdha” është bërë burim i madh fitimi në internet dhe në masën më të madhe e mirëpres këtë (Big Feelings nuk është e vetmja këngë që pasqyron këtë ndryshim kulturor; animacioni Small Potatoes në [kanalin] CBeebies ka një këngë që thotë “Ndjenja / Kam kaq shumë ndjenja”, të cilën burri im e këndon për mua kur jam para menstruacioneve). Si prind, emocionet e forta janë të pashmangshme: ti i ndien, fëmija i vogël në shtëpinë tënde i ndien dhe, në një nga distancat më të mëdha për ne si specie, po ashtu edhe shumë fëmijë të tjerë në rrjetet e tua sociale.
Në të vërtetë, pamjet e foshnjave dhe fëmijëve duke qarë janë aq të zakonshme në disa platforma, saqë shumë prindër as që e diskutojnë këtë. Nuk kam TikTok dhe algoritmi im në Instagram është kryesisht i përqendruar te supa dhe magjia, por kur një kolege më tha se ky trend i dukej shqetësues, për të mos thënë moralisht i dyshimtë, i shikova vetë disa nga videot.
Ajo që hasa ishin video pas videoje të fëmijëve në gjendjen e tyre më të pambrojtur. Duke qarë, duke bërtitur, duke ulëritur dhe ndonjëherë duke reaguar fizikisht. Natyrisht që kam qenë dëshmitare e këtyre momenteve në shtëpinë time, por të shohësh fëmijën e dikujt tjetër duke kaluar këtë, kjo është tepër e parehatshme, sidomos kur ai fëmijë nuk po ngushëllohet nga prindi i vet. Më e pafalshme është zhanri i videove ku nënat ua bëjnë fëmijëve pastrimin e sinuseve, teksa foshnjat ose fëmijët e vegjël qajnë dhe bërtasin drejtpërdrejt në kamerë. Duhet thënë se shumica e videove nuk janë të tilla, dhe megjithatë ka diçka të tmerrshme në to.
Sigurisht, “ndjenjat e mëdha” nuk janë gjithmonë krejtësisht traumatike. Kur fëmija yt shtrihet në trotuar i dëshpëruar kur kupton që torta nuk është e pafund, është e vështirë të mbash fytyrën serioze. Shumë prej nesh kemi dëgjuar tregime për shpërthime tona të veçanta. I imi përfshinte britmën “M’i jep të gjitha paratë!” në hollin e Institutit të Arteve Moderne në qendër të Londrës. Të ngacmosh me lojë fëmijën për një moment kur ka pasur shpërthim emocional, ose të qeshësh për të me partnerin kur ata kanë fjetur, është një gjë. Të filmosh fëmijën në një moment dobësie dhe ta ngarkosh në internet që ta shohin të gjithë pa pëlqimin e tij, kjo është çështje krejt tjetër.
Pastaj janë trendët thjesht të pakëndshëm, si ai që përfshinte tronditjen e foshnjave deri në të qara duke ua hedhur një fetë djathi në ballë, ose duke ua thyer një vezë në kokë. Kjo përmbajtje duket sikur synon të poshtërojë fëmijët. Në një shkrim për New York Times, Amanda Hess shkroi: “Pjesa më e frikshme e këtyre videove është që prindërit mezi ndërveprojnë me fëmijët e tyre. Në vend të kësaj, lidhen me një pasqyrim të fëmijëve të tyre të cilin ata po e përhapin në internet. Dhe, kënaqen me pushtetin e tyre mbi atë imazh”.
Ka krijues të videove që do ta urrenin këtë lloj përmbajtjeje. Ata pretendojnë se po i filmojnë fëmijët e tyre në momentet më të ndjeshme jo për t’i tallur, por sepse po përpiqen të krijojnë momente mësimi - “shihni sa qetë dhe në mënyrë të mrekullueshme arrita ta qetësoj shpërthimin e këtij fëmije duke përdorur këto teknika”. Disa madje përpiqen të shmangin kritikat e pashmangshme. “Kjo video shpërndahet për të edukuar dhe për të rritur ndërgjegjësimin - jo për aprovime apo opinione”, thuhet në një video të postuar nga @babybearhealth (menaxhuar nga një pediatër, me sa duket). Mesazhi që vijon është një nga gjërat më të kota vetëlavdëruese që kam lexuar ndonjëherë në internet: “Nëse nuk e jeton jetën, mos e gjyko momentin”.
Po sikur të mos e postosh fare momentin? E gjej veten duke menduar. Sepse, i gjykoj këta njerëz. Ajo që shoh, kur shikoj një video të një fëmije të vogël të shqetësuar - qoftë edhe nëse prindi po përpiqet ta ngushëllojë - është një braktisje e detyrës: detyrës për të qenë i pranishëm për fëmijën tënd. Dhe, pyes veten çfarë mesazhi përcillet kur fëmija yt nis të shfaqë një “ndjenjë të madhe” dhe t’i e nxjerr telefonin. Çfarë i flet kjo foshnjës për emocionet plotësisht të natyrshme? “Të ndash momente të vërteta është pjesë e mësimit”, me sa duket.
Teksa unë dhe burri im kemi filluar të vizitojmë shkollat, për djalin tonë, është e vështirë të mos reflektojmë mbi mënyrat se si ka ndryshuar qasja ndaj zhvillimit të fëmijës që nga koha kur ne ishim të vegjël. Sot ka më shumë mirëkuptim për faktin se “ndjenjat e mëdha” janë të zakonshme për fëmijët e vegjël. Në ditët e sotme, shumë të rritur përpiqen të vërtetojnë ato emocione dhe t’ua ofrojnë fëmijëve një hapësirë të sigurt për t’u shprehur. Megjithatë, pavarësisht çfarë pretendojnë influencuesit e prindërimit të ndjeshëm, nuk besoj se mund të ofrosh vërtet një hapësirë të sigurt për fëmijën tënd nëse filmon momentet e tij të ndjeshme dhe shkel privatësinë dhe dinjitetin e tij në atë proces. Të jem e sinqertë, nuk mendoj se këta njerëz kanë shumë për të na mësuar për prindërimin.
Ka nga ata që do ta konsiderojnë këtë si diçka ekstreme, që do të tronditeshin nga fakti që në disa mënyra unë do të preferoja më mirë të vendosja një fetë djathi në ballë të djalit tim, për të qeshur, sesa për shfrytëzuar shqetësimin e tij si një moment mësimi për klikime. Por, për ta do të thosha këtë: nëse “çdo sjellje është komunikim”, çfarë, saktësisht, po përpiqen të thonë këta të rritur? /Telegrafi/
















































