Dëgjon një grindje nga dhoma tjetër dhe e di çfarë do të ndodhë - fëmijët tuaj po zihen përsëri. Qoftë se kush ulet i pari, cilin program të shikojë në televizor apo kush ia mori lodrën dikujt tjetër pa pyetur, situata është e njohur për shumë prindër. Me siguri po pyesni veten: Çfarë po bëj gabim? A është normale kjo? A zihen kaq shumë fëmijët e tjerë? Përgjigja është po dhe jo.

Është e natyrshme që vëllezërit e motrat të kenë konflikte ndonjëherë, por lajmi i mirë është se ka shumë gjëra që mund të bëni për të inkurajuar bashkëpunimin dhe për të zvogëluar konkurrencën midis tyre, shkruan YourTango.


Ji i drejtë, por mos këmbëngul në barazi të plotë

Është e rëndësishme të mbani mend se fëmijët janë personalitete të ndryshme me nevoja të ndryshme. Në vend që gjithçka të ndahet "përgjysmë", përqendrohuni në një qasje të drejtë. Hulumtimet tregojnë se fëmijët e vlerësojnë ndjenjën e drejtësisë më shumë sesa barazinë e mirëfilltë.

Dëgjo pa gjykuar

Prindërit shpesh reagojnë me zemërim ose ndëshkim pa u dhënë fëmijëve të tyre një mundësi për të shpjeguar anën e tyre të historisë. Qëndroni të qetë dhe dëgjojini ata. Kjo u tregon atyre se i dëgjoni dhe i respektoni, gjë që inkurajon bashkëpunimin dhe zgjidhjen më paqësore të konflikteve.

Inkurajojini ata që të gjejnë vetë zgjidhje

Përfshijini fëmijët në gjetjen e zgjidhjeve. Le të japin sugjerime dhe pastaj së bashku të vlerësojnë se çfarë është më e mira. Kur ata marrin pjesë vetë në zgjidhjen e konflikteve, ndihen më të aftë dhe më të përgjegjshëm. Përvoja të tilla shpesh e shndërrojnë rivalitetin në aleancë.

Shmangni krahasimet

Krahasimet janë të lehta për t’u bërë, madje edhe në mënyrë të pavetëdijshme. Të thuash gjëra të tilla si: “Pse nuk mund të jesh si vëllai yt?” vetëm sa e intensifikon rivalitetin. Në vend të kësaj, përqendrohu në sjellje specifike, si: “Jemi vonë sepse nuk i ke veshur ende këpucët”. Ekspertët këshillojnë që prindërit të festojnë veçantinë e secilit fëmijë dhe të inkurajojnë zhvillimin e tyre personal.

Organizoni lojëra dhe çmime të përbashkëta

Vendosni qëllime që kërkojnë punë ekipore dhe një shpërblim të përbashkët. Nëse bashkëpunojnë gjatë gjithë javës, mund të zgjedhin një aktivitet familjar gjatë fundjavave. Vendosini në të njëjtin ekip gjatë lojërave në mënyrë që të mësojnë të punojnë së bashku. Kur bashkëpunojnë, konflikti zvogëlohet natyrshëm.

Lërini ta zgjidhin vetë problemin

Prindërit shpesh duan të "gjykojnë" dhe të ofrojnë zgjidhjen më të drejtë, por ndonjëherë fëmijëve u duhet përvojë në negociata. Lërini të gjejnë vetë një rrugëdalje. Nëse një zgjidhje u duket e padrejtë, ndihmojini ta diskutojnë atë për të parë nëse të dyja palët bien dakord.