LAJMI I FUNDIT:

Presidentja Osmani: Kosova nuk zmbrapset, nuk thyhet dhe do t’i mbrojë kufijtë e saj në çdo cep dhe me çdo kusht

Presidentja Osmani: Kosova nuk zmbrapset, nuk thyhet dhe do t’i mbrojë kufijtë e saj në çdo cep dhe me çdo kusht

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani gjatë fjalimit vjetor në Kuvendin e Kosovës, ka theksuar se përgjatë këtij viti ka realizuar afër 200 takime e bashkëbisedime me krerë shtetesh e krerë qeverish, si dhe takime shtesë me udhëheqës të tjerë institucionalë e udhëheqës të organizatave më të fuqishme ndërkombëtare.

“Jam krenare për punën që kemi bërë së bashku me ekipin tim në riparimin e shumë dëmeve që janë bërë nga kundërshtarët e Kosovës dhe parandalimin e shumë të tjerave, e mbi të gjitha për punën e bërë në përmirësimin e imazhit dhe pozitës së Kosovës ndërkombëtarisht, përderisa jam e vetëdijshme se rrugë jo e lehtë na pret përpara në avancimin ndërkombëtar të vendit tonë”, ka theksuar presidentja Osmani.

Sipas Osmanit aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës është një dëshmi e përkushtimit ndaj vlerave demokratike, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës.


“Njëkohësisht, dorëzimi i kërkesës se Kosovës për statusin e kandidatit në BE, vë në pah përkushtimin tonë të palëkundur ndaj integrimit dhe të ardhmes sonë evropiane”, theksoi presidentja Osmani.

Presidentja Osmani tha se pavarësisht se sa komplekse është rruga, Kosova nuk do të heq dorë nga anëtarësimi në BE, përkundër vonesave të padrejta që bëhen përgjatë kësaj rruge.

“Duke pasur parasysh sfidat e sigurisë me të cilat ballafaqohet Kosova dhe i  gjithë rajoni ynë, jam më e bindur se kurrë, se anëtarësimi ynë në NATO duhet të jetë prioriteti ynë numër një. Aspiratat tona për anëtarësim në aleancën më të fuqishme ushtarake janë të vendosura, të bazuara në përkushtimin tonë për sigurinë dhe stabilitetin rajonal”, tha ndër të tjera presidentja në adresimin e saj vjetor.

Osmani: Duhet të lehtësohen procedurat e marrjes së nënshtetësisë për bashkëkombësit tanë nga Presheva, Medvegja e Bujanoci

E plotësuar: Osmani në adresimin para deputetëve ka përmendur edhe çështjen e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, të cilët po përballen me diskriminimin mbi baza etnike.

“Kam kërkuar reagimin e bashkësisë ndërkombëtare kundrejt spastrimit etnik të kësaj pjese me shlyerjen e adresave të tyre me qëllim ndryshimin e demografisë. Shumë nga shqiptarët e këtyre komunave tani janë pa shtetësi e pa mundësi për të realizuar të drejtat e tyre themelore”, ka theksuar Presidentja Osmani. Më tej, ajo ka thënë se është angazhuar për lehtësimin e procedurave për marrjen e shtetësisë së Kosovës për banorët nga Presheva, Medvegja e Bujanoci.

“E kur jemi te shtetësia, ka qenë e pafalshme që për  vite të tëra, procedurat për marrje të shtetësisë së Kosovës për shqiptarët nga Presheva, Medvegja e Bujanoci kanë qenë të njëjta me ato që vlejnë për qytetarë që vijnë nga kontinente të largëta. Prandaj, kam propozuar që në ligjin e ri për shtetësi, i cili është duke u përgatitur, të parashihen lehtësira në procedurat e marrjes së nënshtetësisë për bashkëkombësit tanë nga Lugina dhe shpresoj që ky propozim do të përkrahet nga ju sapo të vijë në Kuvend”, ka theksuar ajo.

Presidentja Osmani: Rreshtimi i vetëm që na duhet është rreshtimi në anën e shtetit tonë të pavarur e sovran

E plotësuar:  Osmani gjatë adresimit në Kuvendin e Kosovës theksoi më tej se në raport me agresionin e Serbisë ndaj Kosovës më 24 shtator, populli i Kosovës dhe përfaqësuesit e saj kanë ditur të bashkohen rreth kauzës së mbrojtjes së shtetit të ndërtuar me aq shumë sakrifica.

“Në situata të tilla nuk duhet të ketë ndarje partiake e ideologjike, por duhet të ketë unitet, pa dallim. Rreshtimi i vetëm që na duhet është rreshtimi në anën e shtetit tonë të pavarur e sovran”, ka potencuar presidentja Osmani.

Ajo ka falënderuar përfaqësuesit e opozitës që në këtë çështje treguan përkrahjen për institucionet e Kosovës e në veçanti për institucionet e sigurisë, të cilat vazhdojnë të jenë mbrojtësit e Republikës sonë.

“Ne jemi pak për të qenë të ndarë dhe me qëndrime të dallueshme për situata si kjo, kur vetëm uniteti është përgjigja e duhur për ta mbrojtur integritetin dhe sovranitetin e Kosovës. Këtë rrezik nuk e kemi kaluar, ndaj nuk duhet t`i nënshtrohemi ndarjes e dallimeve, por të jemi të bashkuar në vendosmërinë tonë në përballje me Serbinë e të qëndrojmë këmbëngulës dhe të palëkundur kundrejt sfidave të sigurisë”, është shprehur Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani: Kosova nuk zmbrapset, nuk thyhet dhe do t`i mbrojë kufijtë e saj në çdo cep dhe me çdo kusht

Presidentja Osmani në adresimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës ka folur për sulmin terrorist dhe agresionin e 24 shtatorit në Banjskë, duke e cilësuar një agresor, tinëzar në veprim, por të dukshëm në ambicie, me synimin e qartë të cenimit të themelit të shtetit tonë, Republikës.

“Ky sulm, i cili është në vazhdën e ideve e planeve shoviniste e hegjemoniste të Serbisë, ekspozoi sërish fytyrën e vërtetë të fqinjit tonë verior, ëndërr e përhershme e të cilit mbetet realizimi i konceptit fashist të “Botës serbe”. Në këtë kohë kur është sfiduar drastikisht siguria në gjithë kontinentin tonë, plani famëkeq për destabilizim të Kosovës dhe rajonit mori përgjigjen e merituar”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Sipas saj, në këtë ballafaqim, terroristët vranë policin Afrim Bunjakun, ndaj ai u bë dëshmori dhe heroi më i ri në historinë e Kosovë dhe njëri nga të shumtët që ra fli në mbrojtje të integritetit dhe sovranitetit të Republikës sonë.

“Ata vranë një, por mobilizuan shumë djem e vajza nga radhët e Policisë, të cilët po atë ditë dhanë mesazh të qartë: Kosova nuk zmbrapset, Kosova nuk thyhet dhe Kosova do t’i mbrojë kufijtë e saj në çdo cep dhe me çdo kusht”, ka thënë në ekspozenë e saj Presidentja Osmani. /Telegrafi/