Prapaskena të çmendura: Nëna e presidentit të Marsielle vendosi për transferimin e Mason Greenwood

Presidenti i Marseilles, Pablo Longoria, ka zbuluar se para se të merrte vendimin për transferimin e sulmuesit anglez Mason Greenwood, ishte këshilluar edhe me nënën e tij.
Greenwood iu bashkua klubit francez nga Manchester United në verën e vitit 2024, ndërsa Longoria tani ka shpjeguar në detaje arsyet që e çuan drejt këtij vendimi.
Greenwood nuk kishte luajtur për Manchester United për më shumë se dy vite, pasi u arrestua në janar të vitit 2022 nën dyshimet për përdhunim dhe sulm, akuza që më pas u zgjeruan. Megjithatë, të gjitha akuzat ndaj tij u hodhën poshtë në shkurt të vitit 2023.
Ai e ringjalli karrierën gjatë huazimit te Getafe në sezonin 2023/24. Edhe pse Manchester United fillimisht planifikonte ta rikthente në ekip, klubi hoqi dorë nga kjo ide pas presionit të fortë publik. Greenwood përfundimisht u transferua te Marseille në korrik të vitit 2024 për një shumë rreth 30 milionë eurosh.
Duke shpjeguar vendimin, Longoria pranoi se e pa të arsyeshme ta trajtonte çështjen edhe nga një këndvështrim njerëzor, duke kërkuar mendimin e nënës së tij, e cila kishte punuar si oficere burgu në Spanjë.

“Mendoj se është e drejtë të flas hapur për këtë. Krijimi i tabuve në jetë nuk është kurrë pozitiv”.
“Për ne ishte një mundësi shumë e madhe nga aspekti sportiv dhe i marketingut, ndaj analizuam me shumë kujdes atë që kishte ndodhur realisht. Kur bëmë një analizë të thellë dhe mblodhëm të gjitha informacionet, dhe kjo është hera e parë që flas publikisht për këtë, e telefonova nënën time”.
“Ia bëra pyetjen: ‘Çfarë mendon, duke pasur parasysh gjithë situatën?’ Nëna ime ka punuar në sistemin penitenciar në Spanjë, i cili është shumë inovativ, madje ka marrë edhe një çmim kombëtar për punën e saj. E pyeta, me gjithë këto informacione: ‘Çfarë do të bëje po të ishe në vendin tim?’ Dhe ajo më tha: ‘Bëje’”.
Longoria theksoi se për të ishte thelbësore të merrte këshilla nga dikush që nuk kishte asnjë interes sportiv.
“Ishte shumë e rëndësishme për mua të dëgjoja mendimin e dikujt që nuk ka motive sportive, sepse talenti i tij është i padiskutueshëm, por nga dikush që ka vetëm një motiv njerëzor. Si njeri, jo si president. Ishte vendimtare që ajo, duke ditur gjithçka, të më thoshte: ‘Bëje’. E di që situata mund të dëmtojë reputacionin e klubit, por Mason është një djalë i mirë”.
Greenwood e ka justifikuar besimin edhe në fushë. Ai ka realizuar 42 gola në 64 paraqitje me fanellën e Marseilles, prej të cilëve 20 vetëm në këtë sezon./Telegrafi





















































