Nga: Xhevdet Bajraj
(Për ditëlindjen e luanit të Filadelfias, Meksiko Sitit, Santiago de Çiles, Rahovecit, Panorcit dhe të Krahinës së Bytyçit)
Po e feston ditëlindjen nipi im
unë timen e kisha në muajin mars
por e pata harruar
dhe meqë nuk jam pranë teje
më dhemb zemra
koka
dhe do të më dhembin veshkat
Shiko
zemra e zemrës sime
jetën e ke përpara
nëse do të jesh i lumtur
mësoje ndonjë recetë ushqimi
nga gjyshet e tua
Nëse s’të pëlqen përgatitja e ushqimit
e dëshiron të jetosh në qytet
atëherë hape një kioskë
shit fara kungulli a luledielli
(mos harro t’i ushqesh me to
zogjtë e egër të rrugës)
Nëse dëshiron të jesh i lumtur
bli një copë tokë të pëlleshme
larg qytetit
mësohu të fishkëllesh
këngë të jetës
dhe ndiqe rrugën e diellit
Ji i guximshëm kudo që të jetosh
nëse jeton në Kil
mos u ndaj nga vreshti
Nëse jeton në Meksikë
jeto në fermë
Nëse jeton në SHBA
shitju njerëzve ato që i duan
qofshin ato edhe pordhë në ujë
Nëse jeton në Kosovë
ji guri
vetëm guri
por jo në dorë të njeriut
ji guri në lumë
në fushë
në bjeshkë
që të ulet mbi ty
ndonjë zog i egër a i butë
që të kruhet ndonjë kafshë e egër
e plagosur
që t’i ndihmosh t’ia mbyllësh plagën
apo le të kruhet
sepse i kruhet
se shqiptari më nuk ec këmbë
se shqiptari
as nuk ulet më mbi gur
(dhe në asnjë mënyrë
mos lejo që të strehohet
gjarpri nën ty
e as që të zësh myshk
jeta është lëvizje
kurrë mos u ndal
por mos ji guri i hedhur
nga dorë njeriu
Mos harro që njeriu është i mirë
duaje
por kurrë mos i beso
se pjesa e keqe e tij
sado e vogël që të jetë
pa shkas do të të zhgënjej
do të zhgënjej keq
Unë nuk jam i lumtur
babai yt është biri im
prandaj
hëm
më fal
por nuk mund ta paramendoj
të lumtur
pavarësisht sukseseve në jetë
pavarësisht zemrës së madhe
sepse jemi njerëz
jemi të dënuar të jemi njerëz
që pavarësisht ëndrrave të guximshme
që i realizojmë shumë shpejt
ajo që vjen
uh
ajo që vjen më pas
duhet ta jetojmë
të jetojmë
vetëm sepse duhet jetuar
Nuk jemi kompakt me botën
pi cigare
nëse të pihet
pi alkool nëse ta do shpirti
(mos thyej gota në kafene
herën e parë kur kam thyer
ka qenë si në filmin e Bekim Fehmiut
Mbledhësit e puplave)
dashuro me tërë qenien në jetë
dhe merr nga dashuria sa të mundesh
se vetëm dashuria na bënë njerëz
nganjëherë të lumtur
nganjëherë të palumtur
por mos harro
se në poezinë
Këshilla për nipin tim
të pata thënë
mos e jep jetën për atdhe
për asnjë atdhe
se liria tradhton
liria edhe çnjerëzon
se është art në vete
të jesh njeri
i lirë
apo në liri
Jeto si kuzhinier
shitës farash të lulediellit
apo si guri
A di çka
jeto si guri
Arben
shqyeje qiellin
me një TË DUA në shqip
(mos i harro të dua-të
në spanjisht
gjermanisht apo anglisht)
ama në shqip
do të dëgjojnë
të gjitha e të gjithë ata
që e sakrifikuan jetën për atdhe
ashtu do ta zhbësh historinë e rrejshme
që e rishkruajnë historianët tanë
dhe si çdo shqiptar i moshës sime
a i stërgjyshit
apo babit tënd
duhet t’u referohemi të huajve
për mbijetesën tonë
Nipi im
gjaqet kurrë nuk janë falur
nuk ka pasur as epope
vetëm ka pasur njerëz
pak njerëz
të gatshëm të vdesin për atdhe
Varrezat shqiptare (kosovare)
nga pakujdesia ndaj tyre
i frikësojnë të gjallët
edhe në Rahovec
po ti mos ki frikë
edhe pse unë
me varrosjen e njerëzve
të mi të dashur
e varrosi edhe një copë të madhe
të lirisë sime
Nëse vjen nga Kili
ndonjëherë
më sill të lutem verë Casillero del Diablo
Nëse vjen nga Meksika
më sill çfarëdo tekille
meskali apo aguardiente
Nëse vjen nga SHBA
më sill uiski Wild Turkey
derdhe një kapak të shishes
mbi varrin tim
dhe një kapak pije për vete
Stërgjyshit dhe stërgjyshes
vetëm buzëqeshu
tregoju që je i lumtur
që je krenar që ai ka qenë partizan
që ia ka vlerë që më kanë bërë mua
që ia kam vlerë
që e kam edukuar babanë tënd
të jetë i lirë
(i kërkoj falje nëse liria i ka bërë dëm)
dhe nëse do ta ndezësh një marihuanë
ulu mbi varrin tim
lirisht
dhe ndize një
por mos i thith mbi katër tyma
mbase të ka treguar babi
se më bie sheqeri
se i hipi gjarprit mbi shpinë
(se e ushqej me mishin e trupit tim
me ditët e kaluara
dhe me ato që më kanë mbetur)
se udhëtoj nëpër botëra
se bëhem guri
qaj si guri
përplasem si guri
thyhem si guri
e pastaj e mbledh veten
me shekuj
si guri
Se ne mund ta hamë veten
nipi im
por askush nuk ka dhëmbë
që të mund të na përtypë
se gjyshin e ke pasur poet
babin engjëll të dehur
(që i ka qëndruar gjyshit mbi sup)
Mund të na rrëzojnë
të na fyejnë
por sa ta kemi të gjallë
gishtin e mesëm të dorës
nuk do të mund të na thyejnë
Unë po vdes
nga dashuria
uroj që edhe ti
në moshë të shtyrë
të vdesësh nga dashuria
dhe mos harro
kur dikush ta uron ditëlindjen
qoftë ai edhe babi
apo gjyshi
me të cilin je i hidhëruar
thuaj falëmnderit
se ai me atë fjalë
dhe me një buzëqeshje
pasi të jetë përshendetur
me dallëndyshet
që i munguan një pranvere të tij
i gëzuar
do ta blejë
biletën e autobusit
të trenit apo të anijes
për në atë botë
ku sytë e zemrës
mësohen shpejt me errësirën
P.S.
Kur të hasësh në një shqiponjë
që çalon duke fluturuar drejt teje
duke e mbajtur krahun
e thyer nga saçmë e çiftes
me kthetëra
dhe ndalet pranë këmbëve tua
mjekoje si Robinson Jeffers-i
gjashtë javë gjashtë muaj
a gjashtë vjet
dhe kur ta kesh liruar të shëruar
pas disa ditëve
nëse kthehet sërish te ti
e shëndoshë si topi
dhe të lutet në mënyrë fisnike
që ta vrasësh
shkaku i asaj që ka parë në botë
ti mos e vrit si poeti amerikan
ti mos e vrit
shqyeje në mes
një peshqir nga hotelet e lira
turke a kineze
dhe vendose në mes të tij
bëje flamur
se ne fëmijët e shqiponjës
nuk i vrasim ato
përkundrazi
u shërbejmë atyre
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëTraditat dhe ritet e dikurshme të dasmave shqiptare
Thënie për nënën: Nëna është personi i vetëm në botë që të do para se të të shohë!
Histori e shkurtë e muzikës shqiptare: Thesari ende i panjohur
Harta e shteteve të Evropës, gjatë 2400 vjetëve
Trim mbi trima kish qenë gjithmonë Gjergj Elez Alia
Fjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Man United ofron 60 milionë euro dhe kartonin e Zirkzees për transferimin e yllit të Interit
"Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket", paralajmërimi i Musk për të ardhmen e njerëzimit
Klubi rumun shkruan pas ndeshjes ndaj Rahovecit: Pritje shumë e mirë, ju falenderojmë për këtë gjë
Serwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania
Hap historik për ushtrinë amerikane: SHBA fillon prodhimin e eksplozivëve TNT në tokat e saj