Popullariteti Macronit bie në nivel rekord - më i ulëti për një president francez në 50 vitet e fundit

Popullariteti i presidentit francez, Emmanuel Macron ka rënë në nivelin më të ulët ndonjëherë, me një përqindje miratimi prej vetëm 11 për shumë, sipas një sondazhi të ri të publikuar nga Le Figaro.
Në fillim të këtij muaji, lideri francez i shpëtoi shkarkimit nga posti pavarësisht akuzave se ai mban përgjegjësi për krizën e thellë politike që po përjeton Franca.
Qeveria e tij ka dy vjet që nuk ka shumicë parlamentare, që prej vendimit për të shpërndarë Asamblenë Kombëtare në muajin qershor të vitit 2024.
Ky veprim, i nxitur nga humbja e koalicionit të tij në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, u pa gjerësisht si një bast që dështoi, duke prodhuar një parlament të bllokuar dhe duke ndalur pjesën më të madhe të punës legjislative të vendit.
Që kur mori detyrën në vitin 2017, Macron ka parë shtatë kryeministra të japin dorëheqjen. Mbajtësi aktual i postit, Sebastien Lecornu, u rizgjodh pasi kishte dhënë dorëheqje në muajin tetor për shkak të përçarjeve në parlament mbi përpjekjet e qeverisë për të miratuar një buxhet që synonte uljen e borxhit në rritje të vendit.
Shifra prej 11 për qind në miratim pasqyron nivelin më të ulët të arritur nga paraardhësi i Macronit, Francois Hollande, i cili gjithashtu pa që vlerësimi i tij të binte në nivele të ngjashme në fund të vitit 2016, pak para se të shpallte se nuk do të kandidonte për një mandat të dytë presidencial.
Sipas Grupit Verian, i cili kreu sondazhin me një mijë të anketuar, Macron është barazuar me Hollanden si presidenti më pak popullor i Francës që nga fillimi i matjeve të opinionit publik nga kjo organizatë dhe paraardhësit e saj në fillim të viteve 1970.
Sondazhet e mëparshme kanë treguar një rënie të vazhdueshme të miratimit për Macron. Në janar 2025, vlerësimi i tij i kënaqësisë ra në vetëm 21 për qind. Një sondazh i kryer muajin e kaluar tregoi se vlerësimi i presidentit kishte zbritur më tej në 15 për qind, me 80 për qind të të anketuarve që thonë se nuk i besojnë atij. /Telegrafi/


















































