Polonia ngriti aeroplanët, sistemet e mbrojtjes u vunë në gatishmëri të shtuar - pasi Rusia nisi sulmet ajrore pranë kufirit të saj në Ukrainë

Aeroplanë luftarakë polakë dhe të aleatëve u vendosën në gatishmëri mëngjesin e së martës pasi Rusia nisi sulme ajrore drejt Ukrainës perëndimore, pranë kufirit të Polonisë, thanë forcat e armatosura.
"Aeroplanët luftarakë u ngritën në ajër, dhe sistemet e mbrojtjes ajrore tokësore dhe të zbulimit me radar u vunë në gatishmëri të shtuar", tha komanda operative e forcave të armatosura të Polonisë në X, përcjell Telegrafi.
"Këto masa janë të natyrës parandaluese dhe synojnë sigurimin dhe mbrojtjen e hapësirës ajrore, veçanërisht në zonat ngjitur me rajonet e kërcënuara".
Ky veprim vjen pak muaj pasi Polonia mbylli hapësirën e saj ajrore ndërsa forcat ajrore ngritën aeroplanë në ajër në përgjigje të një sulmi rus ndaj Kievit në shtator, shkruan Sky News.
Polonia është detyruar të vendosë aeroplanët e saj në disa raste që kur Rusia pushtoi Ukrainën.
Kujtojmë se Rusia ka intensifikuar sulmet e saj në rajonin jugor ukrainas të Odesas, duke shkaktuar ndërprerje të gjera të energjisë dhe duke kërcënuar infrastrukturën detare të rajonit.
Zëvendëskryeministri ukrainas Oleksiy Kuleba tha se Moska po kryente sulme "sistematike" në rajon.
Javën e kaluar, ai paralajmëroi se fokusi i luftës "mund të jetë zhvendosur drejt Odesas".
Presidenti Volodymyr Zelensky theksoi se sulmet e përsëritura ishin një përpjekje nga Moska për të bllokuar qasjen e Ukrainës në logjistikën detare. /Telegrafi/



















































