Në rrjetet sociale sot është përhapur një video që supozohet të tregojë një polic në Los Angeles duke qëlluar me plumb gome nga afër ndaj një gruaje që i drejtohej qetësisht ndërsa ndodhej në trotuar.

Në videon e publikuar në platformën X, shihet gruaja teksa përpiqet të kalojë rrugën, por polici në një moment ngre armën dhe e qëllon në këmbë nga një distancë shumë e afërt.


Incidenti, me sa duket, ka ndodhur në kontekstin më të gjerë të protestave të mëdha në Los Angeles, të cilat shpërthyen pas aksioneve të agjentëve federalë të imigracionit javën e kaluar.

Protestat kulmuan me trazira dhe dhunë, dhe autoritetet vendosën orë policore gjatë fundjavës në disa lagje të qytetit, përfshirë qendrën, Compton dhe Boyle Heights.

Policia pohon se qëllimi i ndalimit të lëvizjes gjatë natës është të reduktojë mundësinë e përplasjes, por shumë aktivistë dhe organizata për të drejtat e njeriut e kanë kritikuar këtë masë si të tepruar dhe shtypëse.

Gjatë të njëjtave protesta është goditur edhe gazetarja australiane, Lauren Tomasi, korrespondente e Nine News.

Ndërsa raportonte drejtpërdrejt nga qendra e Los Angelesit, ajo u godit në këmbë nga një plumb gome.

Në videon që ka shpërndarë në rrjetet sociale, shihet teksa përkulet nga dhimbja gjersa nuk merrte pjesë në protestë. /Telegrafi/