LAJMI I FUNDIT:

Policia me plan për 1 Maj

Policia me plan për 1 Maj

Policia njofton se ka bërë të gjitha përgatitjet për shënimin e 1 Majit.

Sipas Policisë janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të përcaktuar lirimet, kufizimet, bllokimet e plota apo të pjesshme të segmenteve të caktuara rrugore në kryeqendër dhe jashtë saj, me qëllim të rregullimit të qarkullimit rrugor dhe drejtimit të trafikut, në mënyrë që të krijohet rrjedhshmëri normale në trafik si dhe një ambient i qetë dhe i sigurt.

“Meqenëse kryeqyteti gravitohet nga një numër i madh automjetesh dhe qytetarësh si dhe nga analizat e bëra nga e kaluara është konstatuar se përveç qytetarëve të kryeqendrës, parkut të Gërmisë do t’i drejtohen edhe qytetarë nga qytetet e tjera të vendit”, thuhet në komunikatë.


Edhe këtë vit Policia e Kosovës në bashkëpunim me Kuvendin komunal të Prishtinës për të evituar bllokadat në rrugë, kolonat e gjata të automjeteve, aksidentet eventuale, për të mundësuar një transport publik të qytetarëve në suaza të normales, do të veproj në të gjitha rrugët të cilat lidhen me rrugën kryesore që lidhë qytetin me parkun e Gërmisë, duke formuar pikat e kontrollit me qëllim të ndalimit dhe udhëzimit të automjeteve, si dhe vendosjen e rregullit përgjatë atyre rrugëve.

Në këtë kontekst, policia do të ndalojë dhe ridrejtojë të gjitha veturat përveç atyre të banorëve të lagjeve që lidhen më parkun Gërmia (Sofali, Tauk Bahqe), autobusëve të Trafikut Urban, automjeteve të Emergjencës, të Hortikulturës, KRM “Pastrimi”, Drejtorisë së Inspeksionit të KK Prishtinë, të KFOR-it, të EULEX-it si dhe veturave të PK-së, të cilat janë të angazhuara në këtë operacion.

Ndalja dhe ri drejtimi i të gjitha veturave do të bëhet në:Kryqëzimin e rrugëve “1 Tetori”, “Nazim Gafurri” dhe “Ymer Lutfi Paçarizi”; (Kryqëzimi Velani), Kryqëzimin e rrugëve “Nazim Gafurri”, “ Xhavit Ahmeti” dhe “ Dr. Lec Gradica”; (Kryqëzimi te ish rruga Bledi), Kryqëzimin e rrugëve “Dr. Shpëtim Robaj” me atë të Sofalisë në drejtim të Pishinës dhe parkut “Gërmia”.

Sipas Policisë përveç patrullave që do të jenë prezent në atë pjesë të qytetit, Drejtoria Rajonale e Policisë do të vendos edhe një pikë statike (automjet të policisë), për të qenë sa më pranë qytetarëve për t’u ofruar shërbime sa më të mira sigurie.

Njësitet policore të DRP- Prishtinë, do t’i mbulojnë edhe akset rrugore që shpien në drejtim të liqenit të Batllavës dhe atij të Badovcit, pasi që ato zona gjatë shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Punës, gjithashtu frekuentohen nga qytetarë të shumtë.

Operacioni në fjalë do të filloj të implementohet që në orët e hershme të 1 majit , andaj për të përballuar sa më lehtë rrethanat që do të paraqiten me këtë rast në qarkullimin rrugor, kërkojmë ndihmën, besimin dhe mirëkuptimin e gjithë qytetarëve dhe veçanërisht lusim qytetarët e kryeqytetit që të shmangin lëvizjet e tyre me vetura.