Policia e Kosovës ka arrestuar një person të kërkuar nga drejtësia, i dyshuar për disa vepra penale, përfshirë edhe veprën penale “vrasje”.

Sipas njoftimit të policisë, më 9 mars 2026 rreth orës 22:30, patrulla e Stacionit Policor në Prizren, pas një pune të vazhdueshme hetimore, ka arritur ta lokalizojë dhe arrestojë të dyshuarin A.P., 37 vjeçar nga fshati Velezhë i Prizrenit.


“I njëjti ishte i kërkuar sipas urdhërarresteve të gjykatës për disa vepra penale, konkretisht për ‘vrasje’, ‘shkaktim të rrezikut të përgjithshëm’ dhe ‘mbajtje, posedim dhe kontroll të paautorizuar të armës’”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Sipas policisë, rasti lidhet me një ngjarje të ndodhur në vitin 2015, ku i dyshuari kryesor për vrasje ishte arrestuar dhe dënuar nga gjykata, ndërsa A.P. kishte qenë gjithashtu njëri nga të dyshuarit dhe kishte qëndruar në arrati për disa vjet.

Pas arrestimit, më 10 mars 2026, i dyshuari është dërguar në Prokurorinë Speciale për vazhdimin e procedurave të mëtejshme ligjore.

Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në identifikimin, lokalizimin dhe arrestimin e personave të kërkuar, veçanërisht atyre që dyshohen për vepra penale të rënda, me qëllim garantimin e sigurisë dhe rendit publik. /Telegrafi/