Policia ndërhyn në Leposaviq pas një rasti kanosjeje, konfiskon arsenal armësh dhe uniforma serbe

Një operacion i Policisë së Kosovës në fshatin Mekinicë të Leposaviqit ka rezultuar me zbulimin dhe konfiskimin e një sërë armësh ilegale, municionesh dhe uniformash ushtrake të Serbisë, pas një rasti të raportuar për kanosje brenda familjes.
Sipas njoftimit zyrtar, një grua ka raportuar në Stacionin Policor në Mitrovicë të Veriut se ishte kanosur nga bashkëshorti i saj dhe ka theksuar se ai posedonte armë zjarri. Policia ka intervenuar menjëherë dhe ka kontaktuar me të dyshuarin, i cili e ka pranuar posedimin e armëve.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, janë sekuestruar: 3 pushkë automatike të tipit AK-47, 1 pushkë ajrore, 1 revole, 1 shkrepës në formë revoles, 55 fishekë, 1 bajonetë, 2 thika, 5 karikatorë të armës AK-47, 1 karikator dhe një këllëf për revole, 1 xhaketë ushtarake dhe 2 këmisha të Policisë së Serbisë.
Personi i dyshuar, S.T., 49 vjeç, rezulton të ketë pasur një urdhër mbrojtës aktiv të lëshuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë që nga data 15 tetor 2024, i cili ishte ende në fuqi në ditën e incidentit.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, ndaj S.T. është iniciuar procedurë penale për veprat: “Kanosje”, “Mospërfillja e urdhrit të gjykatës” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
I dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Ndërkohë, gjatë kontrollit, babai i të dyshuarit, N.T., 70 vjeç, ka deklaruar se një pjesë e armëve dhe uniformave i përkisnin atij personalisht. Për këtë arsye, ndaj tij është iniciuar procedurë për veprën “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, por pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.
Policia Rajonale në Mitrovicë të Veriut ka theksuar se mbetet e përkushtuar ndaj ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, dhe ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë. /Telegrafi/


















































