Policia kap tre shoferë që po vozisnin me mbi 120 km/h në zonën 50 në Ferizaj

Policia e Kosovës ka ndëshkuar tre shoferë në rajonin e Ferizajt për kundërvajtje të rënda në komunikacionin rrugor, përkatësisht për tejkalim të shpejtësisë së lejuar.
Sipas njoftimit të Policisë, të martën më 11 nëntor 2025, në rrugën magjistrale Ferizaj–Prishtinë, në fshatin Babush, në zonën me kufizim shpejtësie 50 km/h, është ndaluar shoferi A.B. (22 vjeç), i cili po drejtonte automjetin “VW Golf” me targa vendore me shpejtësi 124 km/h.
Atij i është shqiptuar gjobë prej 300 eurosh, 3 pikë negative dhe masë mbrojtëse – heqje e patentë shoferit për tre muaj.
Ndërkohë, të mërkurën më 12 nëntor 2025, në rrugën transitore Shtime – fshati Belincë, në zonën me kufizim shpejtësie 60 km/h, Policia ka ndaluar edhe dy shoferë të tjerë për tejkalim të shpejtësisë.
Shoferi J.C. (39 vjeç) po drejtonte automjetin “Audi” me targa vendore me shpejtësi 123 km/h, ndërsa shoferi tjetër D.A. (26 vjeç) me automjetin “Audi”, po voziste me shpejtësi 126 km/h.
Të dyve u është shqiptuar nga një gjobë prej 300 eurosh dhe masë mbrojtëse – heqje e patentë shoferit për tre muaj. Njërit prej tyre, sipas Policisë, nuk i janë shqiptuar pikët negative pasi posedonte patentë shoferi të huaj.
“Policia Rajonale e Ferizajt apelon tek të gjithë shoferët që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë, shenjat dhe rregullat e komunikacionit rrugor, me qëllim rritjen e sigurisë në rrugë dhe parandalimin e aksidenteve”, thuhet në njoftimin e Policisë.
















































