Një 54-vjeçare nga fshati Runjevë i Kaçanikut është raportuar e zhdukur në polici, pasi ishte larguar nga shtëpia e vëllait të saj në orët e hershme të mëngjesit.

Zëdhënësi i policisë rajonale të Ferizajt, Kanun Veseli, bëri të ditur se viktima, H.J., e cila kohëve të fundit qëndronte te vëllai për shkak të gjendjes së saj shëndetësore, është larguar nga shtëpia rreth orës 04:00 të mëngjesit.


“Ankuesi tha se nuk është hera e parë që ndodh një rast i tillë. Në momentin e zhdukjes, ajo ishte e veshur me pizhamë ngjyrë pembe dhe trenerka ngjyrë kafe. Është e gjatë rreth 172 centimetra dhe peshon afërsisht 70 kilogramë”, tregoi Veseli.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, rasti është raportuar në stacionin policor në Kaçanik rreth orës 16:30.

Prokurori i shtetit ka urdhëruar inicimin e një shënimi zyrtar dhe marrjen e masave të menjëhershme për gjetjen e saj.

Rreth orës 19:35, është nisur një operacion kërkimi, ku janë angazhuar Njësiti i Kërkim-Shpëtimit, hetuesit policorë të stacionit dhe njësitë e NJRSH-së nga Ferizaj, të udhëhequr nga komandanti i stacionit në Kaçanik.

Ndërkaq, kërkimi po bëhet edhe me ndihmën e dronëve.

Policia ka njoftuar se për zhvillimet e mëtejshme lidhur me rastin do të ketë njoftime shtesë./Telegrafi/