Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë kontrolleve në rajonin e veriut ka gjetur armë dhe municion në një shtëpi të braktisur në fshatin Jashanicë, në komunën e Leposaviq.

Sipas njoftimit zyrtar, më 5 mars 2026, policia ka pranuar informacion se në këtë objekt mund të ndodheshin armë.


Njësitë relevante kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe gjatë kontrollit kanë sekuestruar:

një pushkë karabinë të tipit M48

një armë automatike AK-47

një pushkë gjuetie

një pistoletë CZ me dy karikatorë të zbrazët

128 fishekë të kalibrave të ndryshëm

Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e veprës penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Aktualisht nuk raportohet për persona të arrestuar, ndërsa rasti mbetet nën hetime.

Policia ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe ka bërë thirrje që çdo informacion që ndihmon në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike të raportohet në numrin 192./Telegrafi.