Policia britanike godet një bandë ndërkombëtare të dyshuar për kontrabandën e deri në 40,000 telefonave celularë të vjedhur

Policia Metropolitane në Londër ka shkatërruar një rrjet ndërkombëtar kontrabande telefonash të vjedhur, në atë që po vlerësohet si operacioni më i madh ndonjëherë kundër vjedhjeve të celularëve në kryeqytetin britanik.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, hetimet nisën pasi oficerët ndoqën sinjalin e një “Find My iPhone”, që i çoi në aeroportin Heathrow, ku gjetën 1,000 telefona të vjedhur të paketuar gati për t’u dërguar në Hong Kong.
Autoritetet dyshojnë se grupi ka dërguar mbi 40,000 telefona nga Britania në Kinë gjatë vitit të fundit, duke përfituar miliona funte.
Dy shtetas afganë, të njohur me nofkat “Seagull” dhe “Heron”, janë arrestuar nën akuzën për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe pastrim parash.
Në banesat e tyre në veri të Londrës, policia gjeti edhe 2,000 telefona të tjerë të vjedhur.
Sipas policisë, bandat përdorin shpesh hajdutë me biçikleta elektrike që veprojnë në zonën e West End, e cila është bërë epiqendra e vjedhjeve.
Komandanti Andrew Featherstone tha se kjo është “goditja më e madhe ndaj krimit të telefonave celularë në historinë e Mbretërisë së Bashkuar” dhe paralajmëroi se operacionet do të vazhdojnë. /Telegrafi/



















































