Policia apelon për kujdes të shtuar në komunikacion për shkak të mjegullës

Policia ka apeluar tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, si pasojë e mjegullës së dendur që është shfaqur në rajon.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj, mjegulla është vërejtur në territorin e komunave Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Hani i Elezit, veçanërisht në zonat me pozitë më të ulët gjeografike dhe në afërsi të lumenjve, duke ulur ndjeshëm dukshmërinë në rrugë.
Policia u bën thirrje shoferëve që gjatë vozitjes të ndezin dritat e shkurtra dhe dritat e mjegullës, të shmangin përdorimin e dritave me rreze të gjata, të ngadalësojnë shpejtësinë dhe ta mbajnë atë nën kontroll, si dhe të qëndrojnë në krahun e djathtë të rrugës.
Po ashtu, kërkohet rritje e vëmendjes ndaj ndryshimeve të papritura të dukshmërisë, pasi mjegulla mund të krijojë iluzione optike dhe t’i bëjë drejtuesit e mjeteve të mendojnë se po lëvizin më ngadalë sesa në të vërtetë.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj thekson se siguria në trafik është përgjegjësi e përbashkët dhe fton të gjithë shoferët të respektojnë rregullat e komunikacionit për të shmangur aksidentet.








































