Polici kroat e rrah brutalisht në automjetin e policisë një të prangosur - pamjet shqetësuese publikohen në rrjetet sociale

Në rrjetet sociale sot është shpërndarë një video ku një polic kroat në një automjet policie rreh një burrë të arrestuar, ndërsa kolegët ia mbyllin dyert e automjetit. Siç shihet në video, i arrestuari është lidhur me pranga.
Nga Drejtoria e Policisë Split-Dalmaci kanë konfirmuar se videoja është bërë sot në Tril.
Ata thonë se policët nga Stacioni Policor Sinj, sipas urdhrit të Prokurorisë Rajonale, po punonin për sjelljen e të akuzuarit. Policia thotë se burri i arrestuar fillimisht e sulmoi verbalisht, e më pas edhe fizikisht policin. Kjo nuk shihet në video, raporton index.hr.
“Pas sulmit, punonjësi i policisë ka përdorur mjete detyruese ndaj personit – forcë fizike dhe mjete lidhëse. Gjatë prangosjes së personit ka ndodhur ngjarja që shihet në video”, thonë nga Drejtoria e Policisë Split-Dalmaci.
Ata shtojnë se kanë informuar prokurorinë dhe po zhvillojnë një hetim kriminalistik.
Policia thotë se i arrestuari nuk ka lëndime të dukshme, por për shkak të rrethanave është dërguar për kontroll mjekësor. /Telegrafi/


































