eksperti ad

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se punimet në aksin rrugor Livadhet e Istogut – Mokna po zhvillohen sipas planit, në kuadër të një projekti që financohet tërësisht nga kjo ministri dhe realizohet përmes Memorandumit të Bashkëpunimit me Komunën e Istogut.

Sipas njoftimit, aktualisht po zhvillohen punimet në fazën e dytë të projektit, e cila përfshin një segment prej 11.9 kilometrash, me vlerë të kontratës bazë prej 2,844,411.83 euro.


"Punimet në aksin rrugor Livadhet e Istogut – Mokna po vazhdojnë sipas planit. Ky projekt financohet tërësisht nga Ministria e Infrastrukturës dhe po realizohet në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit me Komunën e Istogut", thuhet në njoftimin e ministrisë.

Ministria ka bërë të ditur se, së bashku me fazën e parë, e cila tashmë ka përfunduar, investimi i përgjithshëm në këtë aks rrugor ka arritur në mbi 3.6 milionë euro, duke mundësuar asfaltimin e gjithsej 19.1 kilometrave rrugë.

"Së bashku me fazën e parë, e cila është përfunduar më herët, investimi i Ministrisë në këtë aks rrugor arrin në mbi 3.6 milionë euro, duke mundësuar asfaltimin e 19.1 kilometrave rrugë", theksohet në njoftim.

Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, ky investim pritet të ndikojë në përmirësimin e qarkullimit, lehtësimin e qasjes në zonat me potencial turistik dhe krijimin e kushteve më të favorshme për qytetarët dhe vizitorët.

"Ky investim do të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin, do të lehtësojë qasjen në një nga zonat me potencial të madh turistik të Istogut dhe do të krijojë kushte më të mira për qytetarët dhe vizitorët", thuhet më tej.

Ministria ka theksuar se do të vazhdojë investimet në infrastrukturën rrugore me qëllim të modernizimit të saj dhe përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve në të gjitha komunat e Kosovës. /Telegrafi/