Në vitin 1621, studiuesi anglez, Robert Burton, publikon veprën “Anatomia e melankolisë”. Kjo vepër nga shumëkush cilësohet sui generis, sepse, ndonëse autori kishte mëtuar se ka shkruar një libër mjekësor, aty ka letërsi, filozofi, shkencë…
Kjo vepër edhe sot ka adhurues të shumtë. Ndërsa, që nga botimi në atë vit e deri më sot, pakkush e ka studiuar atë si Paul Jordan-Smith.
Edhe ky i fundit, sikurse vepra e Burtonit, ishte person sui generis: pastor universalist që akuzohet për herezi, si dhe ligjërues i latinishtes dhe letërsisë angleze e amerikane. Por, veçantia e tij bazohet diku tjetër, tek fjala e pakuptimtë disumbracionizmi, që burimin e ka tek zhgënjimi – kaosi i vlerave.
Gruaja e Smithit ishte Sarah Bixby Smith. Ajo sot njihet si avokuese e edukimit të femrave dhe si shkrimtare. Por, merrej edhe me pikturë, duke preferuar peizazhet dhe natyrën e qetë. Fatkeqësisht, në një ekspozitë të vitit 1924, kritika e dërrmon pasionin e saj. Ata ishin shumë të ashpër me të, duke i cilësuar punimet e saj si demode, vetëm pse ishin “shumë reale”!
Këto vlerësime dhe kritikët që caktojnë dhe imponojnë vlerat artistike, për Smithin ishin të pakuptimta. Ndaj, vendosi ta bëjë një lojë, ndër më të veçantat në histori.
Burri që donte t’i dilte krah gruas, nuk kishte pikturuar kurrë. Por, merr brushat, ngjyrat dhe pëlhurën për ta bërë një “vepër” arti. Aty shfaqi një grua që ngjan me dikë që i takon një fisi të egër e primitiv, e që mban në dorë lëvoren e bananes. Si pseudonim përdori një version rus të emrit e mbiemrit të tij: Pavell Xherdanoviq (Pavel Jerdanowitch)!
Çuditërisht, vepra “Po, ne nuk kemi banane” – më vonë e quajtur “Ekzaltimi” – në vitin 1925 merr pjesë në një ekspozitë me peshë në New York! Madje, kritika jep vlerësime të mëdha. Autori krahasohet me emrat si Pop Hart dhe Paul Gauguin. Për të shkruajnë revistat prestigjioze, madje edhe nga Parisi, qyteti që – në ato vite, të ’20-tat e shekullit të kaluar – mblidhte disa nga emrat më të mëdhenj të artit të shekullit XX.
Pas “Ekzaltimit”, për “artdashësit” u realizuan “Aspirimi”, “Adhurimi”, “Iluminimi”, “Xhinacioni” (Gination – nga rakia xhin), “Kapitullimi” dhe “Krahasimi”. Të shtatat futen në një seri të quajtur “Shtatë mëkatet vdekjeprurëse”.
Por, teksa “lulëzonte” karriera si piktor e “Xherdanoviqit”, në vitin 1927, në një intervistë për Los Angeles Times, Smith tregon se ishte tallur.
“Kam marrë më shumë famë nga ky rreng i vogël, që nuk më merrte më shumë kohë se një orë në vit, sesa tërë puna serioze që e kam bërë për dekada të tëra”, ka thënë ai.
Kur doli e vërteta, kritika u zu ngushtë. Ata tash thoshin se ai mund të jetë tallur, porse ka bërë vepra të mira, meqë kishte talent dhe gjene artisti!
Nga shtatë mëkatet – epshi, grykësia, lakmia, përtacia, zemërimi, zilia dhe krenaria – krishterët e hershëm kanë synuar t’i largojnë njerëzit. Ndryshe, ato njihen edhe si Veset Kapitale apo Mëkatet Kardinale. Ato janë e keqja e ditëve të sotme, siç ishin në kohën kur ka jetuar dhe vepruar Smithi.
E, a mund të ketë vlera të mirëfillta në një shoqëri ku ende zë vend qendror një temë biblike?
Me siguri se jo!
Në vitet ’20 të shekullit të kaluar, SHBA-të nuk shquheshin si vend arti. Ndërkaq, Evropa e vlerave ishte edhe oazë e eksperimentimit. Kështu ia doli të bëhej i madh një “Xherdanoviq”.
Fatkeqësisht, në këtë gjendje është sot Kosova – shteti sui generis: e mbetur 100 vjet prapa Perëndimit – në një kaos të vlerave – në çdo sferë të jetës.
“Xherdanoviqët” krijohen për një orë, por çmohen më shumë se investimet e sinqerta intelektuale të bëra për dekada. Ata janë pasqyra e zhgënjimit (të Smithit), janë shkaktarët e tronditjes shpirtërore (të gruas së tij). “Xherdanoviqët” lindin lehtë dhe dominojnë në çdo profesion. Ata janë në universitetet e shumta të Kosovës, në Parlament, në Qeveri, në spitale, mes veteranëve, në shkolla, në komunitetin artistik, gazetaresk… Ata janë kudo! Madje, përcaktojnë vlerat, fatin e individit e të shoqërisë. Dhe, tallen – me secilin!
E keqja ka kapluar vendin. Prandaj, shoqëritë shqiptare, të shpërndara në shumë shtete në Ballkan, mund të identifikohen me “lëvizjen artistike” të Smithit: disumbracionizmin.
Pasi Smithi nuk dinte të bënte hije në “pikturat” e tij, ai e krijoi këtë “koncept” gjoja si një qasje e re në pikturë. Ky term e kishte bazën tek fjala latine umbra, që do të thotë hije.
Hija është sinonim i ligësisë. Por, në besimet e lashta dhe në besëtytnitë që vazhdojnë edhe sot, thuhet po ashtu se qenia e ligë nuk ka hije. Ndërkaq, skiofobia – në aspektin shkencor – ndërlidhet me frikën që dikush ka nga hijet.
“Xherdanoviqët” nuk kanë hije, sepse ata janë vetë hija – ligësia. Ata populli i krijon, e prapë populli ka frikë (skiofobi) nga ta. Ndaj, shpërblehen dhe marrin merita, zënë vende kudo – madje edhe në debatet në ndeja e në familje!
Për shtetet me qeveri kleptokratike është krijuar termi Banane-Republikë që i atribuohej kryesisht shteteve që eksportonin banane po që erë shteti nuk kishin. “Po, ne nuk kemi banane” në Kosovë! Ama kemi hije – pa hije. Rrengu interesant i shekullit XX, këtu është realitet i shekullit XXI.
Por, derisa në SHBA e vërteta zbulohet pas tri vitesh, këtu gënjeshtrat dhe mbijetesat e “Xherdanoviqëve” nuk kanë të ndalur. Sepse, në Kosovë gjithçka është lojë, tallje, mashtrim… disumbracionizëm!
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Biden zhvlerësoi urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare për arrestimin e Netanyahut
NASA publikoi foto të reja mahnitëse të Jupiterit
Pas tërheqjes së Gaetzit, Trump emëron një grua për Prokurore të Përgjithshme
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje