Alternativat e sigurta dhe mitet rreth fitimit të muskujve

Në vitet e fundit është shfaqur një trend shqetësues: qumështi i gjirit po përdoret nga disa individë, veçanërisht nga ata që merren me bodibilding, si alternativë ndaj proteinave tradicionale. Megjithatë, studiuesit dhe ekspertët e nutricionit theksojnë se nuk ka asnjë provë shkencore që ky lëng ndihmon në rritjen e muskujve te të rriturit.


Dr. Jacques Mortiz, drejtor i divizionit të gjinekologjisë në Mount Sinai Roosevelt në New York, shpjegon: “Nuk ka asgjë specifike në qumështin e gjirit që të shkaktojë rritje të masës muskulore te të rriturit.”

Brett Schoenfeld, ish-bodybuilder dhe profesor ndihmës i shkencave të ushtrimeve në CUNY Lehman College, shton: “Nuk është e zakonshme, por kam njohur njerëz që e kanë bërë këtë. Diskutohet shpesh në forumet e bodybuilding-ut online. Bodybuilder-at janë të gatshëm të provojnë çdo gjë nëse ka ndonjë efekt të mundshëm, edhe pse nuk mbështetet nga hulumtime shkencore.”

Ekspertët vënë në dukje se përfitimet e pretenduara janë të ekzagjeruara dhe kryesisht psikologjike, pa ofruar ndonjë avantazh të verifikuar krahasuar me proteinat e zakonshme.

Raportime të mediave ndërkombëtare si New York Post dhe Vice tregojnë se ky është një biznes fitimprurës, i ndërtuar mbi mashtrime, mite dhe besime të rreme, përcjell Telegrafi.

Rreziqet shëndetësore të drejtpërdrejta

Problemet kryesore lidhen me sigurinë bakteriologjike. Çdo lëng i sekretuar nga trupi bart potencialisht rreziqe për shëndetin, sidomos nëse nuk dihet se si është mbledhur, ruajtur apo transportuar. Një studim i publikuar nga American Academy of Pediatrics tregoi se deri në 74% të mostrave të qumështit të gjirit të blerë online ishin të kontaminuara me baktere si Staphylococcus dhe Streptococcus.

Për më tepër, sipas The Independent, janë raportuar raste ku konsumimi i këtij qumështi ka sjellë pasoja serioze shëndetësore: infeksione, sëmundje ngjitëse si hepatiti dhe sifilizi, madje edhe komplikime të rënda që kanë rrezikuar jetën. Kjo e bën të qartë se rreziku nuk qëndron vetëm tek mungesa e dobisë, por edhe tek pasojat e mundshme fatale.

Nga ana tjetër, për ata që mendojnë se do të fitojnë më shumë proteinë, një filxhan qumësht gjiri përmban vetëm 2.5 gram proteinë, ndërsa një filxhan qumësht lope ka 7.9 gram proteinë sipas USDA National Nutrition Database (USDA, 2025). Qumështi i gjirit gjithashtu është më i pasur në sheqerna dhe yndyrë, gjë që e bën të papërshtatshëm për qëllime të bodybuilding-ut.

istock

Iluzioni i fitimit të shpejtë të muskujve

Përdorimi i qumështit të gjirit është bërë modë veçanërisht mes të rinjve që më parë kanë përdorur proteina artificiale dhe kërkojnë mënyra “natyrale” për të fituar muskuj. Megjithatë, ekspertët e nutricionit sportiv theksojnë se proteina e qumështit të lopës është më e fuqishme, më e sigurt dhe ndihmon shumë më shpejt në rehabilitimin e muskujve pas stërvitjes. Pra, alternativa e supozuar “natyrale” është më e dobët dhe shumë më e rrezikshme.

Fenomeni i tregut dhe roli i keqinformimit

Ky trend duhet parë edhe në një kontekst më të gjerë. Në shoqërinë moderne, gjithçka është kthyer në biznes: nga dietat ekstreme deri te suplementet e panumërta. Përqendrimi te dukja fizike dhe jo shëndeti real i shtyn njerëzit drejt vendimeve të dëmshme. Koncepti i ushqyerjes normale shpesh harrohet, ndërkohë që ushqime të thjeshta, të balancuara dhe të përballueshme mund të ofrojnë përfitime reale pa rrezik.

Nga “imperativi i rinisë” tek cilësia e jetës

Në nivel global, fokusi në shëndetin publik po ndryshon. Dikur idealizohej të qenit gjithmonë i ri dhe estetikisht perfekt. Sot, theksi është te jetëgjatësia, shëndeti i të moshuarve dhe cilësia e jetës. Rikthimi i ushqimeve dikur të stigmatizuara, si vezët, në rekomandimet ushqyese është shembull i qartë se shkenca ushqyese po i kthehet ekuilibrit dhe provave shkencore.

Kujdes: Pirja e qumështit të gjirit nga të rriturit nuk është vetëm e padobishme, por edhe e rrezikshme. Kushdo që kërkon përfitime shëndetësore apo sportive duhet të mbështetet në alternativa të sigurta dhe të provuara shkencërisht, jo në mite që rrezikojnë jetën. /Telegrafi/