LAJMI I FUNDIT:

Pezullohet restaurimi i shtëpisë së Xhafer Devës – gjithçka nga deklaratat e vendorëve dhe ndërkombëtarëve për projektin

Pezullohet restaurimi i shtëpisë së Xhafer Devës – gjithçka nga deklaratat e vendorëve dhe ndërkombëtarëve për projektin

Më 2 shkurt të këtij viti filloi restaurimi i shtëpisë së Xhafer Devës, projekt ky në kuadër të programit “Trashëgimia kulturore si nxitës për dialogun ndër-komunitar dhe kohezionin social”, i cili bashkëfinancohet nga Zyra e Instrumenti për Stabilitet dhe Paqe i BE-së dhe, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe zbatohet nga UNDP.

Kundër këtij restaurimi ka ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

Gjermania ka shprehur shqetësimin e saj në lidhje me përdorimin e figurave që kanë pasur lidhje me nazizmin.


Shqetësimeve të tyre u është përgjigjur ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili theksoi se nuk po  rehabilitojnë figura, ndërsa theksoi se në fakt, burimi i gjithë kësaj zhurme të panevojshme është fqinji ynë verior që revizionizmin historik e ka politikë kombëtare dhe që reagon ndaj secilit zhvillim pozitiv në Kosovë.

Edhe historianët e Mitrovicës kanë mbështetur restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës, duke thënë se objekti nuk është nazist, e as fashist.

Pas gjithë këtyre reagimeve ka reaguar edhe Zyra e Bashkimit Evropian dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), të cilët kanë njoftuar se është pezulluar projekti për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë.

Më poshtë mund ta lexoni një kronologji të ngjarjes:

Restaurimi i shtëpisë së Xhafer Devës, Ambasada gjermane del kundër: Bashkëpunoi me nazistët

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde nuk është pajtuar me vendimin e Ministrisë së Kulturës për të bërë rinovimin e një objekti kulturor.

Ai është shprehur i shqetësuar pasi kanë filluar punimet për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës, të cilën institucionet e Kosovës e konsiderojnë si një prej objekteve të një rëndësie të veçantë në Mitrovicë.

“Kjo kulturë e kujtesës është duke u bërë në mënyrën e gabuar!”, kishte shkruar Rohde në Twitter.

Gjermania ka shprehur shqetësimin e saj në lidhje me përdorimin e figurave që kanë pasur lidhje me nazizmin.

“Jam shumë i shqetësuar për planet në lidhje me restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës, që ishte një bashkëpunëtor/protagonist i njohur nazist i divizionit famëkeq SS Skënderbeg. S’ka pastrim të historisë! Mos e shtrembëroni të vërtetën në lidhje me Holokaustin ose krimet e luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendas”, ka shkruar ambasadori gjerman, përcjell Telegrafi.

Më 2 shkurt të këtij viti Ministria e Kulturës njoftoi fillimin e restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë. Shtëpia e Xhafer Devës llogaritet të jetë ndërtuar në vitin 1930 në qendër të vjetër të qytetit nga arkitektë dhe punëtorë austriakë.

“Shtëpia e Xhafer Devës ka vlerë të jashtëzakonshme shoqërore, kulturore, historike dhe arkitektonike për tërë rajonin”, thuhej në reagimin e MKRS-së.

Restaurimi është planifikuar në kuadër të programit “Trashëgimia kulturore si nxitës për dialogun ndër-komunitar dhe kohezionin social”, i cili bashkë-financohet nga Zyra e Instrumenti për Stabilitet dhe Paqe i BE-së dhe, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe zbatohet nga UNDP.

Von Cramon kundër restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës: Nuk duhet të ketë vend për mohimin e Holokaustit

Ndaj vendimit të Ministrisë së Kulturës për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë, përveç ambasadorit gjerman Jorn Rohde, ka reaguar edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

Cramon përmes një postimi më rrjetin social Twitter, ka thënë se është e shqetësuar lidhur me rastin e restaurimit të shtëpisë së Devës.

“Rasti i shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicën e Jugut, personalisht më brengos dhe ngre shumë shqetësime tek unë”, ka shkruar Cramon.

Më tej ajo ka thënë se “zbardhja e së shkuarës dhe shtrembërimi i fakteve për bashkëpunëtorin/protagonistin e njohur nazist të Divizionit të 21-të SS ‘Skënderbeu’ nuk duhet të lejohet”.

“Nuk duhet të ketë vend për revidimin e historisë së Luftës së Dytë Botërore dhe mohimin e Holokaustit”, ka shkruar euro-deputetja Cramon, shkruan Telegrafi.

Ministri Çeku: Nuk po e rehabilitojmë figurën e tij

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka reaguar pas deklaratave të ambasadorit gjerman, Jorn Rohde i cili ka thënë se është kundër restaurimit të këtij objekti.

Rohde në një postim në Twitter kishte shkruar se është i shqetësuar për planet në lidhje me restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës, që siç thotë ishte një bashkëpunëtor/protagonist i njohur nazist i divizionit famëkeq SS Skënderbeg.

“S’ka pastrim të historisë! Mos e shtrembëroni të vërtetën në lidhje me Holokaustin ose krimet e luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendas”, kishte shkruar ambasadori gjerman, përcjell Telegrafi.

E lidhur me këtë ka reaguar ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.

Ai ka thënë se restaurimi i monumenteve bëhet për t’i shërbyer komunitetit, jo për revizionizëm historik apo rehabilitim figurash.

“Ne nuk bëjmë revizionizëm historik dhe rehabilitim të figurave. Në fakt, burimi i gjithë kësaj zhurme të panevojshme është fqinji ynë verior që revizionizmin historik e ka politikë kombëtare dhe që reagon ndaj secilit zhvillim pozitiv në Kosovë. Detyra jonë është t’i mbrojmë monumentet tona. Sepse duke i mbrojtur, ato mund t’ua vëmë në shërbim shoqërisë.

Monumentet tona janë hapësira që lehtësojnë dialogun për paqe mes komuniteteve, njëherit duke ndihmuar edhe zhvillimin ekonomik të lokaliteteve. Dialogu mund të mos jetë i lehtë, historia mund të mos i pëlqej njërës apo palës tjetrës, por ekzistenca e artefaktit është parakusht për dialogun. Diskursi që legjitimon dhunën kundër arkitekturës është i rrezikshëm, sepse ai çon drejt zhdukjes së kulturës materiale.

Popujt e civilizuar e ruajnë kulturën e tyre materiale, pra dëshmitë e prekshme të historisë së tyre, ndërsa historia, siç e dimë të gjithë, nuk është gjithmonë e lavdishme. Kjo e fundit nuk duhet të na frikësojë dhe as të shndërrohet në argument kundër trashëgimisë kulturore”, ka shkruar ministri.

Historianët e Mitrovicës mbështesin restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës, thonë se ky objekt nuk është nazist, e as fashist

Vendimi i Ministrisë së Kulturës për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë, ka nxitur reagime të shumta.

Lidhur me këtë çështje, nënkryetari i Lidhjes së Historianëve në Mitrovicë, Enis Kelmendi ka thënë për Telegrafin se janë kundër që të ndërpriten punimet për restaurimin e kësaj shtëpie.

Ai u shpreh se kjo shtëpi posedon vlera arkitektonike dhe artistike.

“Ne si historian nuk jemi të pajtimit që me u ndërpre restaurimi i shtëpisë së Xhafer Devës, pasi që kjo shtëpi posedon vlera arkitektonike dhe artistike, dhe ne nuk jemi duke dashtë me ba shtëpi muze, por jemi duke dashtë me ruajt trashëgimin në stilin e veçantë që e ka perëndimor dhe vlerat e sajë arkitektonike dhe artistike”, u shpreh Kelmendi.

Historiani më tej tregoi se dëshira e tyre është që në katin poshtë të kësaj shtëpie të shndërrohet në galeri.

“Ne po duam ta shfrytëzojmë dhe pa u restaurua kjo nuk mund të shfrytëzohet për me u vendos galeri në katin poshtë. Ne kërkojmë që të mos shkatërrohen vlerat e saja të trashëgimisë kulturore”, u shpreh Kelmendi, duke shtuar se si historian kanë qenë edhe kundër rrënimit të konsullatës ruse, kundër shkatërrimit edhe të shtëpisë së armatës që ka qenë përpara burg ku shqiptarët janë vra edhe persekutua.

Kelmendi theksoi se “objekti si objekt nuk është nazist, as fashist, as jugosllav andaj sipas tij ne si shtet duhet me i ruajt këto vlera të pakta historike që i kemi”.

“Nëse ish deshtë mu marrë si bazë kjo për rrënim dhe mos-rikonstruktim të një objekti që i takojnë një periudhe historike qoftë ajo e lavdishme ose e pa lavdishme atëherë ish deshtë me u rrënua atje edhe Auschwitzi, me u rrënu e mos me u rujt si dhe shumë kampe të tjera të përqendrimit”, u shpreh Kelmendi për Telegrafin.

Pezullohet projekti për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës

E pas shumë reagimeve lidhur me këtë çështje, Zyra e Bashkimit Evropian dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) kanë njoftuar se është pezulluar projekti për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë.

Në njoftim thuhet se “Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë dhe Bashkimin Evropian kanë dëgjuar nga afër shqetësimet pas njoftimit për restaurimin e një vendi të trashëgimisë kulturore në Mitrovicë të lidhur me pronarin e mëparshëm Xhafer Deva, e kaluara e të cilit si bashkëpunëtor i nazistëve është komentuar shumë gjatë ditëve të fundit”.

“UNDP dhe Bashkimi Evropian shprehin keqardhje për çdo ofendim të paqëllimshëm të shkaktuar me rastin e njoftimit për fillimin e punimeve duke lënë jashtë sfondin historik të Xhafer Devës. UNDP dhe Bashkimi Evropian dënon fuqishëm antisemitizmin, ksenofobinë si dhe manifestimet e shumta të tij, duke përfshirë rritjen e intolerancës dhe urrejtjen ndaj pakicave etnike dhe komuniteteve të cenueshme”, thuhet në njoftim, shkruan Telegrafi.

“Ne jemi të përkushtuar të mbrojmë të pambrojturit, të promovojmë të drejtat themelore të njeriut dhe të mbështesim lirinë, dinjitetin dhe të luftojmë dezinformimin”.

Më tej thuhet se “UNDP së bashku me BE-në, kanë pezulluar punën në këtë lokacion. Ne jemi në kontakt me të gjitha palët e përfshira dhe do ta rivlerësojmë rolin dhe kontributin tonë, duke përfshirë mundësinë për të përdorur polemikën aktuale si një mundësi për të adresuar hapur të kaluarën përmes diskutimeve dhe konsultimeve të hapura me të gjitha komunitetet përkatëse”. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Rasti i 2.1 milionëshit, zëvendësministri Sallahu: 500 mijë euro janë në një bankë në Turqi, po punojmë me autoritetet atje që t’i kthehen Thesarit të Shtetit

Rasti i 2.1 milionëshit, zëvendësministri Sallahu: 500 mijë euro janë në një bankë në Turqi, po punojmë me autoritetet atje që t’i kthehen Thesarit të Shtetit

Lajme
Mbështetet punësimi i familjeve përfituese nga reforma e asistencës sociale

Mbështetet punësimi i familjeve përfituese nga reforma e asistencës sociale

Lajme
ROSCAP: Doracakët për edukimin seksual janë inicuar dhe zhvilluar gjatë kohës kur në pushtet ishin PDK, LDK dhe LVV

ROSCAP: Doracakët për edukimin seksual janë inicuar dhe zhvilluar gjatë kohës kur në pushtet ishin PDK, LDK dhe LVV

Lajme
Institucionet e Kosovës të mbyllura për shtetasen e Taxhikistanit që përballet me dëbim

Institucionet e Kosovës të mbyllura për shtetasen e Taxhikistanit që përballet me dëbim

Lajme
I jepet lamtumira e fundit dy të rinjve që u vranë në Klinë, shokët veshin bluzët me fotografitë e tyre

I jepet lamtumira e fundit dy të rinjve që u vranë në Klinë, shokët veshin bluzët me fotografitë e tyre

Lajme
Meta nga burgu: Njerëz të SPAK më kanë sugjeruar të arratisem, s’ka akuzë zyrtare ndaj meje

Meta nga burgu: Njerëz të SPAK më kanë sugjeruar të arratisem, s’ka akuzë zyrtare ndaj meje

Lajme
Kalo në kategori