LAJMI I FUNDIT:

Peshku i artë si kanakar shtëpiak

Peshku i artë si kanakar shtëpiak

Ky peshk me ngjyrë portokalli, me prejardhje nga Kina, është njëri ndër peshqit më të kërkuar të akuariumit

Kultivohet në hurdha peshqish, mirëpo edhe si kanakar shtëpiak në akuarium. Në natyrë rritet edhe deri në 30 centimetra dhe në kushte të mira mund të jetojë deri në 45 vjet.


Në akuarium jeton më pak dhe rritet deri në 15 centimetra. Shumicën e kohës e kalon në fund të akuariumit, ndërkaq në sipërfaqe del vetëm kur ushqehet. Ushqehet me ushqim bimor dhe shtazor, transmeton Telegrafi.

Peshqit e artë u rekomandohen fillestarëve, sepse nuk kanë kërkesa të mëdha për t’i mbajtur. U nevojitet shumë oksigjen, ndërsa temperatura e ujit duhet të jetë midis 18 dhe 20 gradë.

Janë peshq shumë paqësorë dhe të shoqërueshëm, andaj më mirë do të jetë t’i mbani këta peshq në një akuarium. Mund t’i mbani edhe me peshq të tjerë – por jo me llojet tropikale të peshqve.

Bashkë me ta është e preferuar të mbani ndonjë lloj i cili ushqehet në fund të akuariumit, në mënyrë që të mbahet pastërtia.

Kur është fjala për dritën, është e njohur që peshqit e artë do të humbin ngjyrën e tyre natyrale dhe do të bëhen plotësisht të bardhë.

Me rastin e ushqimit të drejtë dhe të llojllojshëm, peshqit e artë shumëzohen disa herë në vit. Femra e rritur dhe e majme në një hov lëshon prej 2.000 deri në 3.000 ikra (vezë).

Prindërit do t’i hanë ikrat dhe të lindurit e tyre nëse nuk ndahen nga akuariumi pas lëshimit të ikrave. Pas dy deri në tri ditë, nga ikra do të lindë i riu i cili fillon të ngjajë në peshk të rritur pas shtatë ditësh.

Ngjyrën e artë dhe të gjitha karakteristikat e disa llojeve të peshqve të rritur i marrin pas një viti. Të vegjlit kanë ngjyrë të hirtë, por me kalimin e kohës marrin ngjyrë të portokalltë.

Sot ka shumë lloje të peshqve të artë, të cilët dallohen për nga ngjyra, forma dhe gjatësia e flatrave. Të dy gjinitë kryesisht kanë ngjyrë të njëjtë. /Telegrafi/