Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në Rrugën B të Prishtinës, ku një burrë 34-vjeçar ka humbur jetën, ndërsa një grua 30-vjeçare ka mbetur e plagosur si pasojë e lëndimeve të shkaktuara nga një mjet i mprehtë, dyshohet thikë.

Zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka bërë të ditur për Telegrafin se ngjarja u raportua rreth orës 15:00 në një ndërtesë të kësaj zone.


“Me të marrë informatën, policia ka dalë në vendin e ngjarjes duke filluar menjëherë me ndërmarrjen e veprimeve hetimore me synim sqarimin e rrethanave të rastit. Në vendin e ngjarjes janë ftuar edhe mjekët emergjentë të cilët kanë konstatuar vdekjen e njërit prej personave të lënduar, mashkull, 34 vjeç, ndërsa e lënduara, femër 30-vjeçare, është dërguar për trajtim mjekësor”, deklaroi Ahmeti.

Klan Kosova raporton se viktima dyshohet se është F.Isufi, dizajner i njohur kosovar derisa e lënduara është bashkëshortja e tij, R.M.

Rrethanat dhe motivet e ngjarjes mbeten ende të paqarta, ndërkohë që hetuesit policorë po zhvillojnë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit.