Një përplasje verbale ka ndodhur sot mes Dardan Sejdiut, ish-nënkryetar i Komunës së Prishtinës dhe kryetarit aktual Përparim Ramës.

Përplasja verbale ka ndodhur pas dështimit të seancës së Kuvendit të Prishtinës, ku në rend dite ishte propozim-vendimi për vënien në shqyrtim publik të Projekt-dokumentit të Planit Zhvillimor Komunal 2025-2033.


Ema Nikçi, asambliste nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas dështimit të seancës i drejtohet ish-nënkryetarit Dardan Sejdiu se nuk kanë asnjë obligim ndaj tij.

“Ndaj teje s’ka askush obligim me u përgjigj... e keni qeverisë 8 vjet komunën dhe e keni shkatërruar”, tha ajo.

Ndërkaq, ish-nënkryetari Sejdiu dëgjohet duke thënë “4 vjet... nuk jemi tu rrejt”, tha ai.

Më pas, një përplasje verbale pati edhe ndërmjet kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama dhe ish-nënkryetarit Dardan Sejdiu.

Rama tha se dokumenti për Planin Zhvillimor komunal është i gatshëm që më shumë se 1 vit, por që sipas tij, po bllokohet nga opozita në Prishtinë.

“Kemi bërë thirrje që sot të votojmë që ta qesim në diskutim publik Planin zhvillimor komunal... që është i gatshëm tash e një vjet e gjysmë, e që po bllokohet nga opozita, LVV e PDK-ja”, tha ai, raporton Telegrafi.

Sipas tij, në seancën e Kuvendit komunal nuk ishin asamblistët që janë votuar nga qytetarët e kryeqytetit. Ai tha se ky dokument është me rëndësi të madhe për kryeqytetin në shumë sfera.

Pas kësaj, ish-nënkryetari Sejdiu e pyeti Ramën se sa lagje janë vizituar në proces.

“Një numër i madh i lagjeve tërë kohën... ne vizitojmë lagje...”, tha Rama.

Sejdiu tutje insistoi se sa lagje e kanë parë planin?

“Ja që njerëz si ti që japin dezinformuar e i rrejnë qytetarët”, u shpreh tutje Rama.

“A ja nise a? Sa lagje i ke vizituar, në sa lagje e ke qit Planin zhvillimor... Nuk ke nevojë për sulme... mos të thotë po rrejmë se ne jemi tu pyet?", u shpreh Sejdiu. /Telegrafi/