LAJMI I FUNDIT:
Ferizaj 20° rain

Përplasje mes koalicionit në Shtime, shtyhet propozimi i Qemajl Aliut për rrënimin e objektit para komunës

Përplasje mes koalicionit në Shtime, shtyhet propozimi i Qemajl Aliut për rrënimin e objektit para komunës

Mbledhja e radhës e kuvendit komunal në Shtime të hënën, ka vazhduar me kritika e akuza në mes të kuvendarëve dhe të ekzekutivit, por debati është ashpërsuar më shumë, kur si pikë e rendit të ditës ishte propozuar shpronësimi dhe rrënimi i objektit disa katëshe para Komunës.

Për këtë propozim të ekzekutivit nuk u pajtuan as koalicioni i LDK-së që bashkë qeverisë me Vetëvendosjen, me arsyetime se propozimi është i ngutshëm dhe se nuk janë të informuar të gjithë pronarët e pronave në këtë objekt. Kundër propozimit të ekzekutivit dolën edhe kuvendar nga Vetëvendosja. Pas rrënimit të këtij objekti shumëkatëshe, komuna ka planifikuar projekte të tjera infrastrukturore.

Me kërkesë të kuvendarëve propozimi i ekzekutivit është shtyre për një seancë tjetër.


Kadri Emini, shef i grupit të kuvendarëve nga radhët e LDK-së, ka thënë se pika e pestë e rendit të ditës duhet të shtyhet derisa drejtoria përkatëse të bën një thirrje publike dhe të informohen të gjithë pronarët që kanë prona në këtë objekt.

“Spronësimi i objektit është në interes të qytetarëve, po ashtu edhe pjesa tjetër pas shpronësimit është në interes të qytetarëve. Por ne e kemi një informacion se të gjithë qytetarët nuk janë të informuar për këtë iniciativë të komunës, andaj nuk është etike që dikujt ti blihet prona apo ti shpronësohet pa e ditur ai. Ne nuk duhet të ngutemi dhe ta shtyjmë për seancën radhës. Në mungesë të numrave të telefonit të pronarëve, në mungesë të adresave dhe në mungesë të njohurive për shkak se qytetarët kanë blerë prona aty por nuk e kanë bërë përkthimin, atëherë drejtoria duhet ta vërteton në fletën kadastrale dhe mendoj se duhet të bën thirrje publike në mënyrë që secili pronar të jetë në dijeni për këtë projekt”, ka thënë Emini.

Edhe shefi i grupit të Vetëvendosjes Besnik Seferi, ka thënë se pajtohet me parafolësit e tij për ta shtyrë këtë propozim pasi që ende nuk ka dokumentacione të mjaftueshme për secilën pronë në këtë objekt.

“U dhanë mendime të ndryshme që të shtyhet kjo pikë, dhe ne realisht po pajtohemi me kolegët.  Siç e kam kuptuar meqë nuk ka dokumentacione të mjaftueshme, siç e di është mbajtur një dëgjim publik dhe qytetarët kanë pasur mundësi të paraqesin, andaj edhe ne si grup parlamentar do të jemi pro shlyerjes së kësaj pike”, ka thënë midis të tjerash Seferi.

Rrahman Jakupi, kuvendar nga PDK-ja, tha se dokumenti që është sjellë duke u bazuar në ligjin për procedurën e përgjithshme administrative neni 47, struktura dhe elementet e detyrueshme të aktit administrativ, kuvendit i është sjellë pa informacionet e duhura.

“Neve na është sjellë një dokument i cili nuk e përmban pjesën arsyetuese apo edhe atë që e thanë kolegët, pra ne nuk kemi informacionet e duhura dhe ky dokument është i mangët, nuk i kanë të rregulluara dokumentet të gjithë pronarët që kanë blerë prona aty”, ka thënë Jalkupi.

Po ashtu edhe Përparim Ramusa nga PDK-ja, ka thënë se për ta rrënuar këtë objekt duhet në kuvend të sillen evidencat se sa pronarë janë shqiptar, sa janë serbë dhe sa janë pronarë të tjerë. Sipas tij, ka qytetarë që kanë bërë blerje në këtë objekt por që procesin e bartjes së pronës e kanë të pa përfunduar.

“Duhet ta dimë që në rast të shpronësimeve kujt duhet ti bëhen pagesat ,personave që kanë blerë pronë, apo personave që janë të ligjshëm. Kërkojmë që kjo pikë të shtyhet, jo me idenë që e kundërshtojmë, por që të kemi informata të sakta dhe të duhura”, ka thënë midis të tjerash Ramusa.

Në anën tjetër Grejtalb Emini, drejtor për Urbanizëm në Komunën e Shtimes, ka sqaruar se është realizuar një dëgjim publik me pronarët që kanë fleta poseduese në këtë objekt, por mund të ketë edhe të tjerë që nuk i kanë fletat poseduese në emër të tyre.
“Ne kemi kërkesa edhe për ndërrim të pronarit para se të mbahet dëgjimi publik dhe kemi filluar me ndërrimin e emrave të pronarëve në këtë objekt. Arsyeja e dëgjimit publik është për t’i treguar qytetarëve se po fillon një projekt dhe kemi kohë për 3 apo 4 muaj për rregullim të dokumenteve, pagesat bëhen në numër të fletave poseduese  dhe jo në emër të pronarëve, për këtë arsyeje nuk i kemi publikuar emrat e pronarëve Të gjitha procedurat ligjore janë në rregull për këtë objekt dhe të gjithë po pajtohemi që duhet të rrënohet, por vendimi i takon kuvendit se a shtyhet apo nuk shtyhet”, ka thënë Emini. /’Telegrafi/