Përplasja mes Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara është lajm i keq për të gjithë botën

Burimi: The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Kryeministria britanike [Downing Street] është tërësisht e preokupuar me stuhinë e brendshme të krijuar nga mikpritja e një nxitësi trazirash nga Lindja e Mesme [Alaa Abd el-Fattah], prandaj nuk ka asgjë për të thënë - e aq më pak për të kontribuar në qetësimin e krizës - teksa dy partnerët kryesorë të Britanisë në Gjirin Persik janë papritur në përplasje të hapur mes vete.
Vendimi i Arabisë Saudite për të bombarduar atë që ajo pretendoi se ishte një ngarkesë armësh për kryengritësit jemenas, dërguar nga Emiratet e Bashkuara Arabe, nxori në pah tensionin e rrezikshëm mes shteteve kryesore sunite të pasura me naftë në Lindjen e Mesme.
Vetëm kohët e fundit, princat e kurorës që qeverisin Arabinë Saudite dhe Emiratet - Mohammed bin Salman [MBS] në Riad dhe Mohammed bin Zayed [MBZ] në Abu Dabi - dukeshin si vëllezër gjaku në aleancën kundër Lëvizjes Huti të mbështetur nga Irani në Jemen. Por, në fakt, ndërhyrja e tyre e përbashkët dhe e dështuar kundër hutëve në Jemen - e braktisur nga Emiratet në vitin 2019 - helmoj marrëdhëniet e tyre.
Emiratet nuk u tërhoqën plotësisht nga Jemeni, por konsoliduan praninë e tyre në jugun e vendit të përçarë nga fraksionet - aty ku ndodhet nafta. Dominimi i Jugut të pasur me energji dhe vijës bregdetare që ndjek rrugën drejt Kanalit të Suezit dhe një kufi të gjatë me Arabinë Saudite, ia japin Emirateve mundësinë për kërcënim të mundshëm të drejtpërdrejtë të territorit saudit nga Jugu.
Dikur gjithçka ishte ndryshe, kur MBS-ja dukej sikur donte ta kthente Arabinë Saudite në një version gjigant të Emirateve. Sauditët ishin gati të ndiqnin modelin e tyre për të inkurajuar të huajt nga vendet jomyslimane, si Britania, që të sillnin aftësitë e tyre të biznesit dhe paratë për të investuar në Dubai, ndërkohë që linin pas politikën e tyre demokratike perëndimore. Tani, qendra multi-miliardë dollarëshe turistike e planifikuar nga MBS-ja në Neom, në Detin e Kuq, mund të jetë objektiv në një luftë të armatosur. Hutët ngacmues kanë pretenduar se Emiratet u ofruan atyre miliona dollarë që të ndalnin sulmet e tyre me dronë mbi anijet në Detin e Kuq, që shkojnë drejt Kanalit të Suezit dhe portit izraelit në Eilat, dhe në vend të tyre të godisnin punimet ndërtimore në Neom!
Emiratet janë të vogla krahasuar me Arabinë Saudite, por pasuria e tyre për frymë është shumë më e madhe. Emiratet kanë një popullsi të bindur, të mbajtur nën kontroll nga suksesi ekonomik dhe nga një polici vigjilente. Ushtria e tyre, e përbërë nga shumë mercenarë, ka performuar më mirë në ndërhyrjet rajonale sesa forcat e Mbretërisë.
Popullsia shumë më e madhe e Arabisë Saudite ka përjetuar rënie të standardeve të jetesës, pasi çmimet e energjisë nuk kanë ndjekur ritmin e rritjes demografike. Ndërsa MBZ-ja ka para për të financuar aventurat e tij gjeopolitike në një brez territori që shkon nga Jugu i Jemenit përtej Detit të Kuq e thellë në shtete të shkatërruara nga lufta, si Sudani dhe Libia, Arabia Saudite e MBS-së ka deficit buxhetor dhe po përpiqet të tërheqë investime në bregdetin e saj të Detit të Kuq. Sauditët kanë nevojë për qetësi te fqinjët si Sudani, që të mos trembin turistët dhe investitorët e mundshëm.
Kaosi nga Sudani në Libi dhe Mali ka lënë vakume të mbushura me ar dhe gurë të çmuar të eksportuar nën sytë vigjilentë të mercenarëve emiratas për të furnizuar bursat e Dubait. E njëjta rrëmujë e ndjek MBS-në dhe planet e tij për një Arabi të re Saudite.
Shkaqet klasike të konflikteve në Lindjen e Mesme, si qëndrimet ndaj Izraelit, janë aspekt i vogël i kësaj krize të re. Po, Emiratet kanë marrëdhënie diplomatike me Izraelin dhe sauditët kanë marrë nën mbrojtje çështjen e shtetësisë palestineze, por antagonizmi mes princave të kurorës bazohet në pretendimet e klaneve rivale për epërsi në Arabinë.
Por, një konflikt lokal midis dy shteteve që qëndrojnë në zemër të furnizimit botëror me energji dhe shtrihen mbi rrugë kryesore tregtare, nuk do të mbetet lokal për shumë kohë.
Për fat të keq, roli historik i Britanisë në rajon tani ndodhet në duart e princit të kurorës të vet Laburistëve të Ri - ministrit të Jashtëm për Lindjen e Mesme, Hamish Falconer, djali i Charlie Falconerit, këshilltarit veteran të Tony Blairit dhe ish-Lord Kancelarit - kështu që kush beson se Sir Keir Starmer do t’i kushtojë kësaj krize vëmendjen që e shpërdoroi për një delinkuent egjiptian [Alaa Abd el-Fattah]? Të paktën brezat e mëparshëm të arabistëve të përçmuar të Qeverisë [Whitehall] do të kishin ditur se ku qëndronin prioritetet e vërteta të Britanisë.
Amerika ka ende rëndësi, por Donald Trumpit është joshur nga të gjithë despotët e Gjirit dhe mund ta ketë të vështirë të ndërmjetësojë pa armiqësuar njërin ose të gjithë.
Irani do të gëzohet duke parë fqinjët e tij sunitë që përplasen mes vete. Nëse ShBA-ja dhe aleatët e saj evropianë marrin anë - duke supozuar se marrin të njëjtën anë (që nuk është e garantuar për Francën e Macronit) - edhe Rusia do të jetë e lumtur të mbështesë cilëndo monarki të Gjirit që përjashtohet nga Uashingtoni dhe të tjerët.
Kina është e shqetësuar për paqen në rajon, ku ka interesa të mëdha tregtare dhe i nevojitet për rrugë të sigurta tregtare drejt Evropës për eksportet e saj dhe për të kthyer energjinë në Kinë. Pekini ka arsyet e veta për të hedhur “vaj mbi ujërat e trazuara” në Gjirin Persik. Por, siç paralajmëroi dikur ministri i Jashtëm veteran i Mao Zedongut, Zhou Enlai, “Ujërat e largëta nuk shuajnë zjarret lokale”.
Viti 2025 ka qenë një vit krizash dramatike të politikës së jashtme, veçanërisht në Lindjen e Mesme. Fatkeqësisht, viti 2026 duket se do të nisë me ngatërrimin më të keq deri tani. Një konflikt saudo-emirat që përhapet në rajon dhe thellohet në Afrikë do të godasë rëndë ekonominë botërore - pa marrë parasysh se kush do të triumfojë. /Telegrafi/


































