LAJMI I FUNDIT:

Përmbaruesit privat, lehtësim për punën e gjyqësorit

Përmbaruesit privat, lehtësim për punën e gjyqësorit

Themelimi i institucionit të përmbaruesve privat dhe funksionalizimi i tij duke filluar nga janari i vitit 2014 do të kontribuoj pozitivisht në lehtësimin e punës së gjyqësorit dhe qasjen e qytetarëve në drejtësinë e Kosovës, me ç’rast, lëndët do të përmbarohen në mënyrë më efektive dhe efikase.

Institucioni i përmbaruesve privat është një institucion bashkëkohor i cili tashmë funksionon në shumicën e vendeve të rajonit dhe atyre të Bashkimit Evropian. Në Kosovë, krijimi dhe funksionalizimi i këtij institucioni është i paraparë me Ligjin mbi Procedurën Përmbarimore, ligj ky i cili ka hyrë në fuqi më 31 janar 2013. Përmes këtij ligji, përmbaruesve privat iu besohen dhe iu delegohen autorizime publike të cilat ata do t’i kryejnë në shërbim të palëve, përkatësisht kreditorëve. Përmbaruesit privat mund të bëjnë përmbarimin e të gjithave lëndëve përveç atyre që kanë të bëjnë me çështjet nga e drejta familjare dhe kthimin e punëtorëve dhe shërbyesve civil në punë dhe kompensimet tjera. Duhet cekur që, nga janari 2014 deri më 30 qershor 2014, përmbaruesit privat së bashku me gjykatat do të funksionojnë paralelisht, dhe pas 30 qershor 2014 përmbaruesit privat do të jenë të vetmit të cilët do të bëjnë përmbarimin e lëndëve me përjashtim të rasteve të lartë-cekura të cilat do të mbesin kompetencë e gjykatave.

Që një person të emërohet përmbarues privat, ai/ajo duhet që të përmbush kushtet e cekura në nenin 326 të Ligjit për Procedurën Përmbarimore, e disa nga këto kushte janë në vijim: të jetë jurist/e; të ketë dhënë provimin e jurisprudencës; të ketë përvojë substanciale në punët juridike; të jetë i/e pajisur me resurse adekuate për të kryer autorizimet publike në mënyrë efektive, etj. Procedura e përzgjedhjes së përmbaruesve privat kalon nëpër disa faza ku kandidatët të cilët i plotësojnë kushtet e lartë-cekura ftohen në provim me shkrim dhe ata persona të cilët kalojnë këtë provim janë të obliguar të ndjekin një trajnim pas të cilit mund të startojnë punën e tyre si përmbarues privat. Përkundër faktit që bëhet fjalë për një sistem të përmbarimit privat, personat të cilët e fitojnë të drejtën e ushtrimit të këtij autorizimi publik do të inspektohen dhe mbikëqyren nga Ministria e Drejtësisë dhe Oda e Përmbaruesve Privat, institucion ky që pritet të krijohet shumë shpejtë. Vlen të ceket që çdo përmbarues privat do të emërohet individualisht, mirëpo përmbaruesit privat mund të organizohen edhe si subjekt afarist, siç parashihet me Ligjin për Shoqëritë Tregtare.

Përmbaruesit privat do të veprojnë në pajtueshmëri me të gjitha ligjet e Republikës së Kosovës dhe Kodin e Etikës, instrument ky i cili do të aprovohet ndërkohë dhe do të parasheh standardet profesionale etike për përmbaruesit privat (përfshirë këtu edhe zëvendës përmbaruesit privat). Ky Kod ka për qëllim garantimin e profesionalizmit dhe etikës për përmbarim të shpejtë dhe efektiv për realizmin e kërkesave të palëve, gjithnjë duke marrë parasysh interesin e përgjithshëm publik dhe sundimin e ligjit. Përmbaruesit privat do të veprojnë sipas parimeve të ndershmërisë, paanësisë dhe qëndrimit të barabartë ndaj pjesëmarrësve në procedurën e përmbarimit. Përmbaruesit privat në veprimtarinë e tyre do të ndihmojnë kreditorët në realizimin e të drejtave të tyre ligjore duke respektuar njëkohësisht të drejtat dhe dinjitetin e debitorit, gjykatës, si dhe vendimet e saj.

Juridiksioni i përmbaruesve privat do të shtrihet në tërë territorin e Kosovës dhe numri i përmbaruesve privat duhet të jetë i mjaftueshëm në mënyrë që ky profesion të jetë sa më konkurrent ashtu që shërbimi të jetë sa më cilësor dhe të rritet shpejtësia e përmbarimit të lëndëve. Numri i përmbaruesve privat caktohet nga Ministri i Drejtësisë me vendim, mirëpo ky numër do të jetë jo më pak se 1 (një) përmbarues privat për 25,000 banor të cilët do të veprojnë sipas juridiksionit territorial të Gjykatave Themelore. Deri më sot, 21 persona kanë kaluar provimin me shkrim dhe 17 prej tyre kanë ndjekur trajnimin.

Me funksionalizimin e plotë të këtij sistemi, Kosova përfundimisht do të bëj një hap të madh drejtë përmirësimit të sundimit të ligjit në përgjithësi dhe respektimin dhe përmbushjen e obligimeve në veçanti. Edhe pse funksionalizimi i tërësishëm i këtij sistemi do të marrë pak kohë, tanimë shumë punë është bërë që ky sistem të lancohet suksesshëm në janar 2014. Reformat e tilla ndihmojnë Kosovën në rrugën e saj drejtë reformimit të sistemit të drejtësisë dhe krijimit të një sistemi më praktik dhe më të drejtë për qytetarët e saj.

Ky artikull është përgatitur nga programi i USAID për përmbarim dhe legjislacion komercial (CLE). Programi për përmbarim dhe legjislacion komercial (CLE), i cili ka filluar në maj 2013, është program trevjeçar me qëllim të përforcimit të sistemit gjyqësor të Kosovës në fushën e së drejtës kontraktuese, përmbarimit dhe ndërmjetësimit si alternativë për zgjidhjen e kontesteve. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e programit të USAID për përmbarim dhe legjislacion komercial (CLE), ndërsa pikëpamjet e autorit nuk pasqyrojnë medoemos pikëpamjet e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.