Komuna e Mitrovicës së Veriut ka bërë të ditur se është përfunduar me sukses renovimi i parkut për fëmijë te “Tre Rrokaqiejtë” dhe “Kodra e Minatorëve”, projekte që synojnë krijimin e hapësirave më të sigurta dhe të këndshme për banorët e qytetit.

Ky projekt është zbatuar nga SIT dhe financuar nga DRC, në bashkëpunim me Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, duke sjellë përmirësime të dukshme në infrastrukturën rekreative të zonës, përcjell Telegrafi.




Në kuadër të punimeve janë restauruar ulëset, vendosur kosha për mbeturina dhe pastruar hapësirat publike, me qëllim që parqet të ofrojnë kushte më të pastra dhe më të rregullta për fëmijët dhe komunitetin.

Komuna ka theksuar se kujdesi për hapësirat publike dhe mjedisin e gjelbër mbetet një ndër prioritetet kryesore, duke u angazhuar për ta bërë Mitrovicën e Veriut një qytet më të pastër, më të bukur dhe më mikpritës për të gjithë qytetarët. /Telegrafi/