Ka përfunduar marshi “Drejtësi, jo politikë” i cili mblodhi me mijëra qytetarë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, me të cilin u kërkua drejtësi për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Në mesin e mijëra qytetarëve morën pjesë edhe figura të shumta nga skena politike vendore dhe nga rajoni.


Këtij marshi iu bashkua edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Osmani u fut mes protestuesve, duke përshëndetur kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza dhe Endrit Thaçin, dajlin e ish-presidentit Hashim Thaçi.

Presidentja e ka cilësuar të padrejtë gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Hashim Thaçi, ish-president, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, ish-kryeparlamentarë, dhe Rexhep Selimi, ish-deputet, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gjykatën Speciale në Hagë, dhe janë në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020.

Gjykata Speciale funksionon me ligje të Kosovës, ndërsa për çështje sigurie selinë e ka në qytetin holandez.

Ajo i heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetorin e vitit 2000. /Telegrafi/