Komuna e Kaçanikut ka përfunduar Fazën II të projektit “Ndërtimi i trotuarit në rrugën regjionale Ahmet Kaçiku”, në segmentin Restorant Natyra – Fusha e Pajtimit, investim ky i realizuar nga buxheti komunal.

Sipas njoftimit të Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencës, me këtë fazë është kompletuar ndërtimi i trotuarit dhe shtegut të çiklizmit, së bashku me të gjithë infrastrukturën përcjellëse, përfshirë kanalizimin atmosferik për largimin e ujërave dhe ndriçimin publik.


Drejtori i kësaj drejtorie, Arian Teneqja, ka bërë të ditur se projekti shtrihet nga Fusha e Pajtimit deri në fshatin Duraj, në një gjatësi prej rreth 3 mijë metrash, duke përfshirë një nga segmentet më të frekuentuara të kësaj rruge regjionale.

Sipas komunës, ky investim ka qenë tejet i nevojshëm dhe pritet të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e sigurisë në komunikacion, si dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës për banorët, nxënësit dhe studentët që e shfrytëzojnë këtë rrugë çdo ditë.

Nga Komuna e Kaçanikut theksohet se investimet në infrastrukturë rrugore dhe siguri publike do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me qëllim përmirësimin e kushteve për qytetarët. /Telegrafi/