Përçarje, akuza dhe mungesë dialogu, ish-opozita fajëson LVV-në për ngërçin institucional

Kuvendi i Kosovës sot do të tentojë për herë të 36-të të konstituohet. Por nga deklarimet para fillinmit të kësaj seance shihet se nuk do të ketë ndryshim të situatës.
Kështu kanë lënë të kuptohen zyrtarë të partive ish-opozitare.
Deputeti i PDK-së Abelard Tahiri, fajësoi Lëvizjen Vetëvendosje për bllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
“Secili deputet e ka përgjegjësi kushtetuese të jetë në seancën e Kuvendit dhe t’i japë drejtim formimit të organeve të Kuvendit të Kosovës, si kryesia dhe kryetari. Këtu nuk jemi duke bllokuar nga partitë e tjera, por jemi të bllokuar nga partia e pare”, tha Tahiri.
Në anën tjetër deputeti i LDK-së, Paris Guri gjithashtu ka thënë se nuk pritet të ketë ndryshim të situatës as sot.
“Sot nuk besoj qe mundet me pas zgjidhje, për arsye se kandidatja për kryetare të Kuvendit është me një seancë gjyqësore ku po gjykohet pikërisht për sulmin që ia ka bërë këtij institucioni. Nuk ka asnjë tentim për të ndryshuar këtë situatë pasi që vetë kryeministri është deklaruar se nuk ka interesim nga populli që të ndodh kjo”, tha Guri.
Më pas gazetarët i thanë se ‘Albulena Haxhiu ka ardhur”. “A erdh a, kish shpëtu”, ironizoi Guri.
Ai bëri thirrje që Lëvizja Vetëvendosje të ndryshojë qasje rreth kësaj situate, derisa shtoi se populli i Kosovës është ai që po ndëshkohet.
Edhe deputeti i AAK-së, Bekë Berisha ka shprehur shqetësimin e tij për situatën politike në vend para seancës së 36-të konstituive të Kuvendit të Kosovës.
“Liderët tanë janë mësuar me i kap për krahu dhe t’u tregohet se s çka të bëjnë. I ka humbur kuptimi çdo gjëje. Ne jemi mbetur peng. Në parlamentarizëm duhet folur dhe bërë zgjidhje dhe të fillohet të komunikohet . Kjo forma që jemi qe 36 herë kush është për dhe me ardh pas 48 orëve i ka humbur kuptimi. Duhet ftuar popullin, sepse po shihet që ka irritim dhe pakënaqësi. Po shihet se nuk ka zotësi, iniciativë. Nuk po shkojmë nga mirëkuptimi, por nga përçarja dhe duhet shikuar një rrugëdalje”, tha Berisha.
Deputetja e Nismës Socialdemokrate, Arbresha Krasniqi, kërkoi që subjektet politike të ulen dhe të diskutojnë me maturi për të dalë nga ngërçi institucional.
“Jam e bindur që të gjitha partitë politike, përveç asaj që e kërkon votën dhe e merr votën është e rëndësishme që të arsyetosh besimin qytetar. Qytetarët janë të vetëdijshëm dhe përtej saj edhe ata qytetarë nuk e kanë ditur saktë si qëndron, si është situata. Subjektet politike duke filluar nga partia e parë deri tek ne kemi përgjegjësi edhe për ngritjen e çmimeve, shtrenjtimin e energjisë”, theksoi ajo. /Telegrafi/























































